Pesë këshilltarët shqiptarë të Kuvendit të Komunës në Mitrovicën e Veriut, i kanë refuzuar ftesat që u janë dërguar nga kryetari, Krstimir Pantiq për seancën inauguruese. Ata kanë deklaruar se ftesat kanë qenë me përmbajtje provokuese dhe pa simbole të Republikës së Kosovës.
Tre këshilltarë të PDK-së, nga një të LDK-së dhe AAK-së dhe një këshilltar turk, janë ndjerë të provokuar nga ftesat që ju kanë ardhur prej kryetarit të Komunës veriore, Kristimir Pantiq, për seancën inauguruese. Bartësi i listës së PDK-së, Emir Azemi, tha se ftesat që u janë dërguar dje kanë qenë pa simbole të Republikës së Kosovës, shkruan RTK.
“Dje rreth orës 4 e 50 në Zyrën Administrative në veri një kurir i komunës së re i ka pru ftesat me përmbajtje “Kosova veriore” dhe njëkohësisht me stemë me katër esa që është simbol i Car Llazarit si dhe me fusnotë të Rezolutës 1244. Ne si tillë, nuk e kemi pranuar, e kemi refuzuar dhe e kemi kthy prapa”, theksoi ai.
Azemi tregoi se pas këtij reagimi, kryetari Pantiq, i ka ftuar sot në takim nëpërmjet zyrës administrative, mirëpo ata ende nuk kanë vendosur se çfarë do të bëjnë.