Ka vazhduar punimet sot Kuvendi Komunal i Vitisë, me pikat e parapara të rendit të ditës, e cila seancë ishte ndërprerë të enjten, pasi që opozita kishte braktisur mbledhjen.
Ndonëse edhe këtë seancë, pjesa dërmuese e këshilltarëve të opozitës nuk morri pjesë, megjithatë Kuvendi kishte kuorumin e mjaftueshëm dhe procedoi me pikat e rendit të ditës.
Fillimisht, këshilltari i Kuvendit Komunal që deri më tani ishte pjesë e grupit të këshilltarëve të PDK-së Samet Idrizi, u deklarua se më nuk do të jetë pjesë e këtij grupi dhe se do të vazhdoj përkushtimin e tij si këshilltar i pavarur.
Të njëjtën gjë e bëri edhe Rasim Terziu, i cili ishte pjesë e Nismës Socialdemokrate, ndërkohë që nga sot do të jetë këshilltar i pavarur.
Propozim vendimin për shqyrtimin dhe miratimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB), 2020-2021, e paraqiti drejtori për Financa dhe Zhvillim ekonomik Ibrahim Rama, i cili mes tjerash theksoi se ky projeksion i buxhetit për vitin 2020 është 12 mil. 305 mijë euro, apo 905 mijë euro më shumë.
“Kjo kornizë është hap i parë i dinamikës në hartimin e draftit të buxhetit për vitin paraprak” tha drejtori Rama. Me votat e këshilltarëve të pranishëm, kjo kornizë u aprovua.
Ndërkaq po ashtu u aprovuan edhe rregulloret mbi themelimin dhe strukturimi e asamblesë komunale të fëmijëve, si dhe propozim rregullorja për realizimin e të drejtave të fëmijëve përmes sistemit qeverisës komunale Miqësorë për fëmijë.
Gjithashtu u miratuan propozim vendimi për shpalljen në diskutim publik propozim rregullore për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës së subjekteve të biznesit në Komunën e Vitisë dhe propozim vendimi për themelimin e grupit punues për hartimin e planit vjetori të punës së Kuvendit komunal të Vitisë për vitin 2020.