Këshilltarët dhe këshilldhënia në Kosovë
/2L ONLINE/ – Nga 12 qershori i vitit 1999, Kosova është shtet i lirë kurse nga 17 shkurti 2008 edhe i pavarur, dhe po e ndërton jetën dhe të ardhmen e vet në demokraci . Fllimisht ishte nën një administrim ndërkombëtar, (UNMIK) deri më 17 shkurt 2008.
Ndërsa më 17 shkurt 2008 Kuvendi i Kosovës përmes përfaqësuesëve të popullit e rikonfirmoi pavarësinë e Kosovës, e cila edhe u njoh ndërkombëtarisht nga mbi 110 vende të botës deri më sot. Republika e Kosovës ndërton institucionet e veta dhe zgjedh drejtuesit e tyre përmes një sistemi zgjedhor ku marrin pjesë parti politike, koalicione politike, iniciativa qytetare si dhe individë të pavarur.
Partia fituese apo koalicioni fitues apo i ndërtuar përmes një marrëveshje politike parazgjedhore, merr përsipër dhe zgjedh qeverinë për ta drejtuar vendin për katër vjet, menjëherë pas konstitumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Po, njëkohësisht Kuvendi zgjedh edhe Presidentin e vendit me mandate pesë vjeçar.
Kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve më të larta të vendit, Presidencës, Kuvendit si dhe Qeverisë, tashmë janë rregulluar me Ligje përkatëse dhe dihen mandatet, detyrat si dhe fushëveprimtaritë e secilës prej tyre.
Pjesë e pandashme nga konstituimi i organeve të para shtetërore në Kosovën e pasluftës sipas një rezultati zgjedhor (10 dhjetor 2001 – Kuvendi I Kosovës ) e më pas edhe Presidenti e Qeveria ( 4 mars 2002 ) janë edhe kategori e shërbyesve politikë në këto institucione – këshilltarët, qoftë në Presidencë, Kuvend apo Qeveri, statusi i të cilëve, emërimi, detyrat dhe përgjegjësit e tyre, saktësohen edhe me Ligje, edhe me Rregullore të Qeverisë , që është funksionale që nga gjysma e dytë e vitit 2011.
Kjo kategori e shërbyesve politikë në shkallë vendi, është edhe pjesë e interesimit tim dhe të shumë qytetarëve, sepse në Kosovë nuk e kemi një hulumtim më të detajuar rreth tyre, siç e kemi bie fjala në disa nga shtetet tjera europiane, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika, Spanja, Danimarka, Polonia etj.
Zyrat kryesore të vendit nuk frymojnë pa këshilltarë
Ajo që tashmë e dimë dhe po e shohim, Zyrat kryesore të vendit, Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria ( Zyra e kryeministrit, z/kryeministrave dhe ministrave e z/ministrave) nuk frymojnë apo nuk funksionalizohen si duhet e si lypset pa këshilltarë politikë, ndihma dhe prania e të cilëve lehtëson ndërtimin e politikave drejtuese, qeverisëse dhe zbatuese të këtyre institucioneve, duke shërbyer edhe si urë lidhëse mes subjekteve politike prej nga vijnë udhëheqësit kryesor të vendit, po edhe ndërtimit të raporteve mes këtyre subjekteve dhe shefave për të cilët punojnë, pa e anashkaluar asnjëherë edhe koordinimin ndërinsitiucional e ndërministror si dhe mes shërbimit civil.
Kështu sëpaku parashihet nga aktet normative në fuqi, të cilat sigurisht që janë hartuar sipas modeleve të vendeve të rajonit dhe, veçmas të atyre shteteve me demokraci më të zhvilluara.
Presidenti/ ja, në Zyrën e tij apo saj, parashihet t’i ketë deri në 12 këshilltarë politikë, po aq sa ka edhe kryeministri, ndërsa ministrave u mundësohen deri nga gjashtë këshilltarë e z/minitrave, sipas praktikës së deritashme, nga një këshilltar, pa e llogaritur këtu stafin ndihmës të zyreve, të cilët i përkasin shërbimit civil (asistentë, vozitës…).
Sipas Ligjit për Qeverinë ( 2011 ), që kuptohet është në fuqi, qartë përcaktohet mënyra se si zgjedhen këshilltarët, kohëzgjatja e mandatit që është e njejtë me mandatin e eprorit të tyre, të cilit edhe i lihet mundësia për ta pushuar nga të qenit pjesë e ekipit të tij/saj, nga momenti që vlerëson se nuk është i dobishëm sa duhet e sa kërkohet apo dhe ka shkelur rregullat apo ka rënë ndesh me ligjin.
Një përkufizim më i detajuar i detyrave, kompetencave dhe përgjegjësive të këshilltarëve, përcaktohet dhe e kemi te RREGULLORJA Nr. 02/2011 , ku specifikohen përgjegjësitë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrave,përkatësisht në nenin 20, 21, 22 dhe 23 .
Këtu shihet qartë se është e drejtë e drejtuesve kryesor të vendit, Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë, që vetë t’i zgjedhin këshilltarët të cilët pastaj ndihmojnë në hartimin e politikave të këtyre institucioneve, zbatimin si dhe afirimin e tyre në publik.
Mirëpo, në asnjë nga këto nene të kësaj Rregulloreje apo as edhe të vetë Ligjit për Qeverinë prej nga e ka bazën po kjo Rregullore, nuk saktësohet përgatitja profesionale dhe karriera politike e këshilltarëve politikë, të cilët janë të thirrur pikërisht për ta këshilluar dhe për t’ ia lehtësuar punën në drejtimin e Zyrës së cilës i përkasin, eprorit të tyre, nga fusha të caktuara apo prej fushave nga të cilat vinë e, për të cilat eprori i tyre ka më pak njohuri. Ndërsa, si në Ligj poashtu dhe në Rregullore, saktësohet apo dhe përmendet gjithnjë përkatësia politike e këshilltarit që duhet të jetë e njejtë me atë të eprorit.
Një fakt që dëshmon domosdoshmërinë e respektimit të vijës partiake ku, drejtuesit e vendit, deri më sot, janë treguar shumë të zellshëm.
Partishmëria apo profesionalizmi dhe karriera politike
Kjo dhe nxitë pyetjen: a do duhej që, me rastin e emërimit të këshilltarëve politikë, duhet domosdo të ndiqet vija partiake apo ajo profesionale ? A do duhej që të kihet parasysh dhe karriera politike, e cila bie fjala, është kriter qenësor në vendet perëndimore, me demokraci të konsoliduar dhe traditë shtetërore?
Drejtuesit tanë, që nga fillimi dhe, pa dallime të mëdha nga njëri tjetri, ju kanë përmbajtur partishmërisë, para se gjithash, kuptohet duke e përplotësuar dhe me përgatitjen profesionale, e cila nuk ka qenë dhe gjithherë një kriter i kërkueshëm dhe i respektueshëm. Dhe ende nuk është vendosur ndonjë kriter që përcakton shkallëb e arsimimit të këshilltarëvce si dhe edukimin e tyre qytetar.
Nëse kthehemi pak mbrapa në ( retrospektivë ) gjatë kohës së paraluftës, viteve të nëntëdhjeta, kur Kosova pat ndërtuar sistemin e saj paralel të udhëheqjes përmes Presidentit historik të saj, dr. Ibrahim Rugovës, këshilltarët politikë të tij kishin edhe premisa akademike dhe, rrallë ndonjë ishte pa titull doktor shkence.
Përmendim këtu profesor Fehmi Aganin, profesor Xhavit Ahmetin, profesor Alush Gashin etj.
Këta njëherësh ishin edhe funksionarë të partisë (LDK).
Sot, rangun e tillë të këshilltarëve vetëm mundesh me u dëshiruar, anise nuk na mungojnë kuadrot e mira dhe të dëshmuara, nuk na mungojnë as akdemikët e as doktorë shkencash. Por, nuk i kemi të pranishëm aty ku do duhej të ishin shumë të nevojshëm. Shkaqet pse, mbase mund të hulumtohen por, mendoj se është në pyetje ana partiake, pavarësia personale dhe jodëgjueshmëria e dëshirueshme nga eprori përkatës nga kuadro të tilla etj.
Nëse mbështetemi pak në shtypin e përditshëm dhe në mas- media, këshilltarët e sotshëm, karakterizohen më së shumti nga vija partiake dhe nga shkalla e dëgjueshmërisë ndaj eprorit si dhe në shkathtësitë e tyre për të pasur qasje në rregullimin e raporteve me bizneset, tenderomaninë si dhe profite tjera të ngjashme madje edhe në relacione me median e publikun se sa shkthatësinë e tyre profesionale e kontributet këshilldhënëse nga fushat prej të cilave vinë dhe do duhej të jepnin këshilla për t’ ia lehtësuar poztën eprorit që i ka emëruar.
Si përfundim
Duke e parë ndikimin e këshilltarëve në jetën publike dhe institucionale, profitet që ua krijojnë shefave të tyre dhe vetes, si në raport me partinë ku thjeshtë krijojnë ndikime përmes grupeve të caktuara dhe poashtu pastaj bëjnë monopole apo i shëndrrojnë në filiala të tyre partitë të cilave ju përkasin, po, duke parë dhe mënyrën e përzgjedhjes së tyre apo dhe preferencave partiake, domosdo do duhej bërë një hulumtim i gjithanshëm për këshilltarët dhe këshilldhënien e tyre në nivel vendi dhe në këto tri insitucione qendrore , Presidencën, Kuvendin dhe Qeverinë, për ta nxjerrë një pasqyrë të saktë të gjendjes, sepse, publiku ka nevojë ta dijë se kush dhe si po i këshillon drejtuesit më të lartë të vendit.
Një hulumtim i tillë, sado që do të nxirrte të dhëna trishtuese, sidomos në aspektin e përgatitjes profesionale dhe të karrierës politike, do ishte tepër i mirëseardhur për një lloj presioni pozitiv mbi këta drejtues që, të jenë më të ndërgjegjshëm kur emërojnë këshilltarë, meqë, edhe këshilltarët paguhen nga taksat tona, pra buxheti i Kosovës dhe, do duhej të ishin më në nivel.
Një hulumtim i mirë dhe profesional, pa ndikime partiake dhe pa anshmëri çfarë, në masë të madhe janë sondazhet dhe hulmtimet në Kosovë, do ndikonte edhe në rritjen e reputacionit dhe autoritetit këshilldhënës në Kosovë, sepse, ky vend ka nevojë për këshilltarë po, nuk ka nevojë që, këshilltarët t’i degradojë në asistentë, sepse, me këtë e degradon edhe vetë shtetin.
Të shpresojmë se kjo do ndodh…
