DYLON

Këshilli Prokurorial i Kosovës reagon ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për miratimin e Projektligjit të ri për KPK-në

Këshilli Prokurorial i Kosovës reagon ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për miratimin e Projektligjit të ri për KPK-në
Avatar photo Redaksia

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) reagon ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për miratimin e Projektligjit të ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur dje, më 12 korrik 2023, duke e cilësuar si tentativë të re për të cenuar pavarësinë e saj.

Gjithashtu, KPK-ja, më këtë rast, thekson se miratimi i Ligjit të ri për KPK-në është vazhdim i procesit të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës, i cili njëkohësisht minon bashkëpunimin tonë për procesin e reformës, të shprehur përmes nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit nga institucionet tona relevante të drejtësisë.

EkoHigjiena

Këshilli Prokurorial, deklaron se përkundrejt asaj që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij, Qeveria e Kosovës nuk është mjaftuar me verdiktin e organit më të lartë kushtetues në vend dhe ka vazhduar me moskordinimin e plotë dhe ka miratuar me nxitim dhe në mënyrë të njëanshme këtë Projektligj tejet të rëndësishëm, pa përfillur fare Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe procesin e reformës në drejtësi dhe duke injoruar plotësisht bashkërendimin e nevojshëm me sistemin prokurorial dhe partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë.

KPK-ja, deklaron me bindje se sistemi prokurorial ka përkrahur reformën e filluar, përfshirë ndryshimet ligjore për të cilat është shprehur vullneti i angazhimit të përbashkët, porse kjo nismë ligjore është dashur të realizohet në kohën e duhur, andaj çdo rikthim i iniciativave dhe i vendimeve të këtij lloji, pa respektuar ndarjen e pushteteve dhe pa koordinimin e ndërsjellë, siç ka ndodhur në të kaluarën dhe siç po ndodhë edhe tani nga ana e Qeverisë së Kosovës, është kthim i madh prapa dhe sjellë dështim, andaj KPK-ja paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për ta kontestuar përmbajtjen e Ligjit të ri të KPK-së, pasi që i njëjti cenon mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, si dhe anashkalon standardet ndërkombëtare, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, deklaron se mbetet i përkushtuar për të mbështetur proceset e përgjithshme reformuese dhe angazhohet që së bashku me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, të bashkëveprojë në çdolloj nisme që ka për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial i Kosovës të bëjë punën e vet të pavarur, profesionale, transparente. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.