(2L ONLINE) – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar të qetë dhe stabile gjendjen e sigurisë në këtë komunë. Majori Remzi Azemi, komandant i Stacionit Policor, ka thënë se në aspektin e sigurisë, Gjilani është mjaft i qetë. Sipas tij, shqetësim për policinë mbeten vjedhjet e rënda, edhe pse në krahasim me vitin e kaluar, numri i tyre ka shënuar rënie.
Sa i përket Cërnicës, ku javëve të fundit kanë ndodhur disa vjedhje, Azemi tha se gjendja nuk është ashtu siç është raportuar në media, as sa i përket numrit të rasteve, duke shtuar se policia i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, por disa prej këtyre veprimeve janë të fshehta dhe nuk vërehen nga qytetarët.
KKSB ka diskutuar edhe për rrezikun nga përdorimi i fishekzjarrëve, rrezikun nga qentë endacakë, për sigurinë në shkolla dhe çështje të tjera dhe ka rekomanduar që të ndërmerret nisma për ndryshimin e ligjit sa i përket mbrojtjes së kafshëve, duke nënvizuar faktin se jeta e njerëzve është më e vlefshme se e qenve endacakë.
Sa u përket mjeteve piroteknike, është rekomanduar që të mos lejohet shitja dhe përdorimi i tyre pa kontroll, kurse është përkrahur plotësisht nisma për vendosjen e kamerave në qytet dhe fshatra, në funksion të rritjes së sigurisë së qytetarëve dhe zbulimit të rasteve që ndodhin.
Halit Rexhepi, kryesues i KKSB, ka thënë se edhe pse situata e sigurisë është e qetë, kjo nuk do të thotë që komuna e Gjilanit nuk përballet me probleme të ndryshme, të cilat kërkojnë angazhim maksimal, në mënyrë që të zgjidhet apo të zvogëlohet efekti i tyre negativ.
Si dukuri negative, të cilat kanë reflektuar në situatën e sigurisë dhe rrezikojnë stabilitetin politik, Rexhepi ka përmendur vonesën në formimin e institucioneve shtetërore, duke thënë se lufta për pushtet ka rritur krizën ekonomike, ka krijuar pasiguri tek qytetarët dhe dëshpërim në institucionet shtetërore dhe partitë politike.
KKSB ka apeluar tek të gjitha institucionet që të orientohen në problemet ekonomike, me qëllim të zvogëlimit të varfërisë dhe pengimit masiv të ikjes së rinisë nga Kosova. Për fat të keq, kjo dukuri është shfaqur heshtazi edhe në komunën tonë, ka thënë Rexhepi, duke përmendur edhe shkaqet që e nxisin dhe stimulojnë këtë fenomen, siç janë papunësia, punësimi në baza partiake e familjare dhe të tjera.
KKSB po ashtu ka kërkuar angazhim më të madh të organeve shtetërore e posaçërisht të policisë, prokurorisë, gjyqësisë, në luftën ndaj korrupsionit, duke shtuar se është obligim edhe i çdo qytetari që rastet e korrupsionit t’i adresojë në organet shtetërore.
Rexhepi ka përmendur edhe rastet e fundit të vjedhjeve të rënda në Cërrnicë dhe gjetiu, duke shtuar se kjo dukuri ka shqetësuar qytetarët, të cilët kërkojnë efikasitet më të madh nga policia e Kosovës në zbulimin e këtyre veprave.
Përndryshe, KKSB ka kërkuar nga policia që të rritë patrullimin dhe të ngreh në nivel më të lartë aktivitetin e saj për festat e fundvitit, sikurse dhe të inspektorëve komunalë, për parandalimin e shitjes së mjeteve piroteknike në vendet publike si dhe mbrojtjen nga zjarri.
Qytetarëve iu është bërë apel që gjatë festave të fund vitit të mos përdorin armët e zjarrit, pasi që përdorimi i tyre, shpesh ka pasoja tragjike për njerëz të pafajshëm.
KKSB e ka shqyrtuar edhe kërkesën e disa banorëve të rrugës “Bajram Llovca” për largimin e linjës ajrore të tensionit të lartë, duke e kthyer atë në linjë nëntokësore, meqë paraqet rrezik për sigurinë e dhjetëra familjeve në lagjen “Arbëria”.
KKSB ka rekomanduar që duke e marrë si shkas këtë rast, këto probleme të shikohen edhe në pjesët tjera të qytetit, ku tensioni i lartë paraqet rrezik dhe të kërkohet një zgjidhje e përgjithshme. /2L ONLINE/