/2L ONLINE/ – Kuvendi Komunal i Gjilanit në seancën e të enjtes ka trajtuar, në një pikë të rendit të ditës, edhe çështjen e Kompanisë “EcoHigjiena”, përkatësisht në rend dite kishte raportin e punës të Komisionit komunal të Aksionarëve të të kësaj Kompanie, por se me atë që u pa në kuvend, nuk janë të kënaqur fare Këshilli i Punëtorëve të Kompanisë “EcoHigjiena”.
Ky Këshill vlerëson se aty ekzistojnë interesa te ngushta te një pjesë e këshilltarëve komunal nga pozita dhe opozita andaj edhe çështja nuk u trajtua si duhet.
“Ne, Këshilli i Punëtorëve të Kompanisë “EcoHigjiena” kemi ndjekur me shqetësim të madh mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Gjilanit të mbajtur më 20.10.2016 dhe kemi pritur që se paku problemet në kompani të trajtohet me seriozitet më të madh nga ana e këshilltarëve komunal, por fatkeqësisht u pa haptas dhe u bindem se aty ekzistojnë interesa të ngushta të një pjesë të këshilltarëve komunal nga pozita dhe opozita. Në ketë mbledhje nuk u trajtuan fare problemet reale qe ka kompania dhe mundësisë së zgjidhjes së tyre, por u pa hapur reagimi i dy protagonisteve kryesor të kësaj mbledhje, të cilët me anë të veprimeve të tyre shfaqen mos-dëshirën e shfaqjes së realitetit në Kompani për interesa të tyre personale”, thuhet në reagimin e këtij Këshilli.
Për më tepër, ky Këshill ka vënë në thumb të kritikës së tyre, përmes këtij reagimi, ndër tjerash, Kryesuesen e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi që vije nga LDK si dhe Riad Rashitin, anëtarin e Kuvendit që vije nga PDK, që sipas tyre, nga frika e debatit eskivuan situatën, dhe kjo, sipas tyre, u bë për shkak të interesave konkrete që atyre u ndërlidhen me këtë kompani. Po ashtu ky Këshill e vlerëson të pakuptimtë madje edhe tendenciozë dhe shkelje të procedurave faktin që kryesuesja solli një raport nga partneri privat (ishte me shifra krejt të rreme) vetëm dhjetë minuta para fillimit te seancës.
“Ne, nga dje ndjehemi edhe më të fortë dhe do të vazhdojmë përpjekjet tona në rruge ligjore të zgjidhjes së problemit, të ruajmë vendet e punës, t’i japin kahje tjetër punës tonë, t’i largojmë të korruptuarit dhe individë të caktuar politik që po e dëmtojnë kompaninë, për interesa te tyre klanore dhe të ia kthejmë dinjitetin dhe emrin e mirë kompanisë”, thuhet tutje në reagimin e Këshillit në fjalë.
Ky Këshill i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës Lutfi Haziri që të mbrojë të drejtën, interesat e punëtoreve, interesin e përgjithshëm të qytetarëve dhe sa më shpejtë të gjejë një zgjidhje për krizën në të cilën ndodhet kjo Kompani që një kohë te gjatë.
“Çdo pritje ka një kufi dhe ne, nuk do te marrim përgjegjësinë, në ditët në vijim, në rast të përkeqësimit të situatës në kompani”, thuhet në fund të reagimit të Këshillit të Punëtorëve të Kompanisë “Ecohigjiena”, të pakënaqur me atë se si u trajtua çështja e tyre në seancën e djeshme të Kuvendit komunal të Gjilanit. /2L ONLINE/
fotoilustrim nga protestat e mëhershme të punëtorëve të Ecohigjiena