Në kështjellën Schlosswill afër Bernës është shtruar një darkë kosovare në nivelin më të lartë. Nuk është lartësia mbidetare, ku është ngritur kështjella, ajo që ia jep këtë karakter darkës por janë personalitetet që kanë darkuar. Bëhet fjalë për darkën shqiptare të shtruar për krerët më të lartë të shtetit zviceran, për Këshillin Federal, respektivisht qeverinë e vendit.
Gjithsej 16 veta, gjegjësisht 7 ministrat me bashkëshortet e tyre dhe kancelarja e vendit me bashkëshortin kanë pasur kënaqësinë të shijojnë specialitetet kosovare në kështjellën e njohur të Zvicrës. Karakteri kosovar i kësaj darke ka qenë befasi e dorës së parë për të gjithë pjesëmarrësit, merr vesh albinfo.ch. Përveç për presidentin ende në detyrë të Këshillit Federal, ministrin e mbrojtjes, Ueli Maurer. Në fakt ka qenë ideja e tij që kjo darkë të organizohet dhe të mbahet në fshehtësi deri në momentin e fundit.
Këshilli Federal, ashtu sikurse të gjitha institucionet, shoqatat dhe firmat e vendit, kultivon traditën e darkës në fund të vitit kalendarik dhe në prag të Krishtlindjes. Por, asnjëherë deri më tash një darkë e tillë nuk ka pasur karakter nacional të një komuniteti të huaj që jeton në Zvicër.
Këshilltari i presidentit Maurer, Jean-Blaise Defago e ka marrë idenë nga presidenti dhe e ka përpunuar atë me ambasadorin e Kosovës, Naim Malaj. Ka qenë pastaj në nderin e këtij të fundit që të “shtyjë” përpara realizimin e “projektit” të darkës kosovare. Siç thotë për albinfo.ch, ambasadori Malaj, kjo surprizë paraqet një nderim të veçantë për Kosovën dhe komunitetin e këtushëm shqiptar, prandaj ai e ka marrë me vullnet të madh jetësimin e saj.
Remzi Jemini, pronar i restorantit “La Vita” në Bernë ka marrë përsipër që të përgatisë “logjistikën” gjegjësisht të sigurojë ushqimin që do të servohej në këtë darkë. Specialitetet janë ato që njihen nga kuzhina jonë, por sigurisht, të përgatitura me një kujdes dhe finesë të veçantë për mysafirët e nivelit më të lartë, thotë Malaj.
Detyra e këtij të fundit ka qenë prezantimi i kuzhinës para anëtarëve të Këshillit Federal që nuk kanë pasur idenë se çfarë i priste. Natyrisht, para tij do të vinte i zoti i darkës, Ueli Maurer, për të shpallur befasinë.
Ushqimet e kuzhinës tradicionale shqiptare nga Kosova janë servuar nga të rinj e të reja shqiptare të veshur me kostume kombëtare, një pjesë e befasisë së mbrëmjes edhe kjo.
Atmosfera gjatë darkës ka qenë spontane dhe e relaksuar. Anëtarët e Këshillit Federal, janë shprehur në superlativ jo vetëm me ushqimet që kanë shijuar por edhe me shërbimin e shkëlqyer, të bërë nga të rinjtë dhe fëmijët shqiptarë të veshur me kostumet e bukura kombëtare shqiptare.
Ndërsa këngët e këngëtares shqiptare të njohur në skenën e xhazit zviceran Elina Duni kanë qenë “qershizat mbi tortë” të gjithë këtij “aksioni” simpatik të realizuar me diskrecion të plotë në kështjellën Schlosswill të Bernës.
Për fund, presidenti në detyrë Ueli Maurer është kujdesur edhe për një befasi. Kësaj here befasia i është ofruar Kosovës: Paratë e dhuratave për Krishtlindje që dhurohen në këso raste, ministrat federalë do t`i investojnë në një projekt zviceran me dobi të përgjithshme në Kosovë. Është ky një gjest fisnik falënderimi i kreut zviceran për nderimin e përjetuar nga kosovarët por edhe mesazh që dëshmon marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Zvicrës dhe Kosovës.