Këshillat lokalë mirëpresin ndryshimet në rregulloren komunale, ku normohet çështja e kompensimit

Këshillat lokalë mirëpresin ndryshimet në rregulloren komunale, ku normohet çështja e kompensimit

Projekt-rregullorja për bashkëpunim me këshilla lokalë i është nënshtruar të enjten një diskutimi publik, për të marrë mendimet dhe opinionet e qytetarëve, përpara se ky akt normues të dërgohet për miratim në Kuvend Komunal.

Këshillat lokalë janë trupa mbështetës të organeve komunale, që promovojnë dhe zhvillojnë transparencën, llogaridhënien dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes.

Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, ka thënë se rregullorja nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor, pos që është përfshirë edhe çështja e kompensimit të kryetarëve të Këshillave lokalë, që deri tani kanë punuar në baza vullnetare. Për mënyrën se si do të jetë ky kompensim, vendos Kuvendi Komunal, por me rëndësi është që kjo çështje do të normohet me rregullore, ka thënë Matoshi.

Avdyl Aliu nga komisioni komunal për zgjedhjen e këshillave lokalë, ka thënë se ndryshimet në rregullore po bëhen me qëllim që të avancohet çështja e funksionimit të këshillave lokalë, duke përfshirë edhe kompensimin.

Si nevojë për një gjithëpërfshirje dhe organizim më të mirë, është parë e arsyeshme që numri i këshillave lokalë të rritet në 44 nga 29 sa ka qenë deri tani, ndërsa mandati i tyre të jetë 4-vjeçar.

Kryetarët e këshillave lokale, Shemsedin Elezi, Idriz Ramadani, Ruzhdi Selimi, Besnik Mustafa dhe të tjerë u dakorduan për këto ndryshime, duke kërkuar që të sigurohet një kompensim i arsyeshëm mujor dhe jo kompensimi të bëhet në formë të mëditjes.

Zgjedhja e këshillave lokale, ku reflektohet edhe përbërja gjinore dhe etnike, në lokalitetet ku banojnë komunitetet, bëhet në tubime me qytetarë, gjatë një procesi që mbnikëqyret nga komisionet komunale. Kandidatët për anëtarë të këshillit lokal apo kryetarë të këshillit lokal, duhet të kandidohen si qytetarë dhe jo në emër të ndonjë partie politike. Kryetar i këshillit zgjidhet kandidati që fiton shumicën e votave të qytetarëve që marrin pjesë në atë tubim.

Kuvendi i Komunës dhe Kryetari i Komunës ftojnë përfaqësuesit e fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane, që të marrin pjesë në tubimet publike me qytetarë, në dëgjimet publike për buxhet, tubimet e rregullta publike, takimet për planifikim strategjik dhe tubime e takime të tjera.

Këshilli lokal i fshatit, vendbanimit apo lagjes urbane, organizon, përcjell dhe planifikon planet dhe programet zhvillimore të lokalitetit, në të gjitha sferat, në bashkëpunim me Kuvendin e Komunës, Kryetarin e Komunës, komitetet dhe drejtoritë komunale.

Këshilli mund të ndërmarrë aktivitete të cilat në veçanti ndikojnë në zhvillimin ekonomik të lokalitetit, planifikimin urban dhe rural, mbrojtjen e mjedisit, rritjen e efikasitetit në shërbimet publike brenda lokalitetit, siguron të dhënat elementare për çdo familje të lokalitetit përkatës, përcjell gjendjen e tyre ekonomike, sociale dhe jep rekomandime e propozime për mbështetje të këtyre rasteve, kujdeset për varrezat dhe hapësirat publike, për organizimin e aktiviteteve kulturore e sportive dhe të tjera.

KOMENTE