Sytë janë pjesa më e rëndësishme e një fytyre të bukur. Ata janë reflektues të shpirtit dhe të natyrës së njeriut. Si mund të keni sy tërheqës. A u mjafton vajzave vetëm lyerja e tyre? Në vazhdim do të paraqesim disa këshilla se t’i grimoni sytë tuaj, dhe cilat vitamina u nevojiten që ata të duken bukur.
– Filloni me hijet: Një femër ka gjithmonë mundësi për t’i bërë sytë më atraktivë, të bukur dhe seksi. Pavarësisht formës, ngjyrës dhe natyrës që e karakterizon me pak lyerje të kujdesshme sytë e saj mund të bëhen të dukshëm. Mos hiqni dorë asnjëherë nga dritëhijet dhe pluhurat, të cilat duhet të kombinohen me ngjyrën e syve tuaj. Aplikimi i pluhurave mbi qepalla është një teknikë më vete, e cila nuk duhet të ngatërrohet aspak. Rregulli numër një është të kujdeseni për përhapjen e pluhurit mbi sy në mënyrë të njëtrajtshme. Ai nuk duhet të bjerë mbi fytyrën tuaj. Që sytë tuaj të duken sa më të bukur, estetistët sugjerojnë ngjyra të ndritshme.
Më rrallë preferohen ato mat. Duke variuar nga ngjyrat e buta e deri ato më të egra preferohen ngjyrat gri, bojëqielli, kafe apo bezhë e pjekur. Peneli është një nga detajet e rëndësishme për të pasur sy të mëdhenj. Përdorni atë të lëngshëm, nëse sytë tuaj janë të vegjël në të kundërt pluhur dhe rimel janë më se të mjaftueshëm. Gjithmonë duke përdorur tone dhe pluhura cilësorë.
– Rimeli, edhe me ngjyrë: Rimeli duhet përdorur në mënyrë të padiskutueshme. Ai vlen për t’i bërë sytë tuaj më tërheqës dhe të mëdhenj. Por, në raste të veçanta, atëherë kur do donit t’i theksonit më tepër sytë, përdorni rimelë me ngjyrë. Mund të përdorni ngjyrën e kaltër, të zezën e fortë apo kafen dhe të gjelbrën. Sugjerohet që rimeli të jetë kundër ujit, në mënyrë që lyerja e syve të mos prishet shpejt. Rimeli i fortë i bën sytë tuaj më ekspresivë por ai nuk mund të përdoret çdo ditë sepse edhe mund t’i dëmtojë ato nëse përdoret rregullisht. Diferenca duhet bërë sidomos në raste manifestimesh apo mbrëmjesh.
– Evitoni lyerjen e vetullave: Që sytë tuaj të jenë sa më të dukshëm është e rëndësishme t’i kushtoni kujdes edhe vetullave. Evitoni lyerjen e tyre me lapsa të errët. Përdorni ngjyra të buta si kafen apo të zezën e lehtë. Mos i holloni shumë nëse sytë tuaj janë të mëdhenj. Kufijtë duhet të jenë brenda natyrales ndaj mundohuni të jeni të tilla, sa më natyrale. Shmangni, në mënyrë absolute, vetullat tatuazh sepse janë forma më e rëndë për të rënë në sy.
Ato mund të aplikohen vetëm në rastet kur vetullat tuaja janë tepër të rralla.
– Vitaminat që duhet të merrni: Bukuria, shkëlqimi dhe ekspresiviteti shpesh varen edhe nga cilësia e ushqimit që zgjidhni. Është e rëndësishme marrja e vitaminave të tilla si: A, B dhe C. Fryrja e syve në mëngjes tregon se keni mungesa të marrjes së vitaminës A përmes ushqimit. Sugjerohet të konsumohet më tepër majdanoz, spinaq apo karotë. Jo vetëm që i sigurojnë vitamina organizmit por përmirësojnë ndjeshëm shikimin.
Për të shmangur të zezën poshtë syve, që krijohet te shumë persona në fakt, është e nevojshme të përfshihet sallata e gjelbër në dietën tuaj. Ajo ka një larmi substancash e vitaminash.
Vitamina B përcakton gjallërimin e shikimit dhe shkëlqimin e syve. Maja e birrës dhe gruri janë burime të mira të kësaj vitamine. Përsa i përket vitaminës C, thuajse të gjitha perimet dhe pemët janë të pasura me të, veçanërisht qitroja. Kjo vitaminë ndihmon në forcimin e muskujve të syrit.
Teprica e toksinave në një organizëm, reduktimi i të cilave varet nga uji mineral, mund të jetë arsye e një vështrimi të lodhur.
– Si të largoni stresin e syve: Sytë reflektojnë tërë gjendjen tuaj shpirtërore që përjetoni gjatë një dite. Ndaj dhe në mënyrë figurative ato njihen si pasqyra e shpirtit, të cilët tregojnë lumturinë dhe shqetësimet më të vogla.
Përpiquni të ndiheni më pak të lodhur kështu edhe sytë tuaj do të duken më pak të stresuar. Mbyllini ata dhe masazhojini lehtë në mënyrë rrethore me mollëzat e gishtave. Fillojeni masazhin që nga vetullat e deri anash hundës për të dy sytë. Bëjeni disa herë veprimin për t’i çlodhur sytë tuaj. Këtë ushtrim aplikojeni përpara se të flini.