Kërkojnë Zyre për Kosove Lindore në Qeverinë e Kosovës

/2L ONLINE/ – Sot, drejtues të Lëvizjes Qytetare “Vatra” në përbërje, Mefail Jonuzi, Kushtrim Kadriu e Naser Xhemaili dhe Abdyrrahim Ademi, zhvilluan një takim me zv. ministrin dhe zyrtarin e ndërlidhjes për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, në Qeverinë e Kosovës Bajram Gecaj.

Gjatë këtij takimi përfaqësuesit e Lëvizjes Qytetare “Vatra” njoftuan Gecajn për problemet me të cilat ballafaqohen banorët e dëbuar nga Kosova Lindore, me theks të veçantë banorët e dëbuar nga ato treva e që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Përfaqësuesit e Lëvizjes Qytetare ”Vatra” kërkuan nga Gecaj që kërkesat e tyre dhe të qytetarëve t’i adresojë në instancat më të larta qeveritare të Kosovës. Si kërkesë e veçantë ishte hapja e zyrës për Kosovë Lindore në Qeverinë e Kosovës, e cila do të merrej ekskluzivisht me problemet e këtyre banorëve dhe do të ishte një adresë për këta banorë në instancat qeveritare.

Gecaj pranoi informacionet nga ” Vatra” dhe njoftoi për detyrën me të cilën merret ai në këtë rol dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe kooperim në këtë drejtim, njofton Zyra për Informim e Lëvizjes ”Vatra” /2L ONLINE/

KOMENTE