/2L ONLINE/ – Qendra për art bashkëkohor “Varg e vi” dhe “Botart” kanë dërguar në adresë të Portalit 2LONLINE, një reagim të tyre lidhur me manifestimin “Flaka e Janarit”, pjesa që ka të bëjë me artin pamor, duke kërkuar madje që Komuna e Gjilanit, ta ndalë përfundimisht monopolin e organizimit të artit pamor në kuadër të “Flakës së Janarit” vetëm nga një organizatë, ta ndryshon formën dhe mënyrën e përzgjedhjes së organizimit dhe procedurave të pjesëmarrjes, përkatësisht kanë kërkuar të ndalet monopoli në organizim dhe mbarëvajtje, të aktiviteteve kulturore të “Flakës…” (arti pamor) vetëm nga një OJQ, pa lënë anash edhe sektorët e tjerë në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit”….
Ja reagimi i plotë i tyre:
Duke përcjellur në vazhdimësi zhvillimet kulturore në Gjilan dhe veçanërisht format dhe mënyrat e organizimit të përvitshëm të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit” në Gjilan, ‘’Varg e vi’’(Qendra për art bashkëkohor) dhe “Botart’’, reagon lidhur me konkursin: “Konkursi shpërblyes i manifestimit Flaka e Janarit 2016”, për këto arsye të mëposhtme:
1. Njësia për Kulturë, Rini dhe Sport publikoi konkursin publik rreth manifestimit “Flaka e Janarit 2016”, ku bëjnë pjesë edhe Arti Pamor. Sikur për secilin vit me radhë, dikur Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, dhe aktualisht e ashtuquajtura Njësia për Kulturë, Rini dhe Sport, pa transparencë të plotë, kanë emëruar gati për secilin vit kalendarik Shoqatën e Artistëve Figurativ të Gjilanit për seleksionimin, vlerësimin dhe organizimin e sektorit të artit pamor në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit”. Ky vendim i përvitshëm i komunës së Gjilanit, i ka dhënë përparësi absolute vetëm një organizateje kulturore të artit pamor sikur është Shoqata e Artistëve Figurativ, e cila nuk përfaqëson të gjithë artistët gjilanas, nuk integron frymën e të gjithë artistëve gjilanas, duke mos folur kështu vetëm në emrin e tyre si shoqatë, por në emër të të gjitha OJQ-ve kulturore-artistike dhe artistëve gjilanas;
2. Dhënia përparësi vetëm e një organizateje kulturore në mbarëvajtjen, vlerësimin dhe organizimin e “Penelit të Flakës”, bie në kundërshtim me Ligjin Nr. 04/L-57, me titull Për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare, Kreu VI “Bashkëpunimi dhe përkrahja e OJQ-ve”, Neni 22, ku thuhet tekstualisht si në vijim: “Institucionet e Republikës së Kosovës përkrahin, por nuk ndërhyjnë në veprimtaritë e OJQ-ve, dhe bëjnë publike të gjitha format e bashkëpunimit dhe përkrahjes. Dhënia e çfarëdo fondi publik për OJQ nga institucionet e Republikës së Kosovës bëhet në bazë të kritereve të paracaktuara dhe publike.” (f. 15) Pra, në “Flaka e Janarit 2016”, nuk bëhen publike të gjitha format e bashkëpunimit dhe përkrahjes;
3. Mbarëvajtja dominuese e “Penelit të Flakës” vetëm nga një shoqatë si Shoqata e Artistëve Figurativ të Gjilanit, bie në kundërshtim edhe me Ligjin për Institucionet e Kulturës, Nenin 33 dhe Nenin 40. Sipas nenit 33, “organet e institucionit janë: -Drejtori; -Këshilli drejtues; -Këshilli profesional, përkatësisht artistik”.” Në organizimin e “Penelit të Flakës” nuk është një Këshill profesional e artistik, por një OJQ. Këshilli nuk duhet të jetë vetëm një shoqatë e artit figurativ, sepse shoqata nuk ka mandat qeverisës lokal, dhe për këtë arsye quhet me akronimin OJQ, pra joqeveritare. Në rastin e komunës sonë, një OJQ shndërrohet në Këshill profesional artistik, duke u bërë Organizatë Qeverisëse Lokale, e jo joqeveritare. Ndërsa Këshilli profesional, përkatësisht artistik, sipas nenit 40, përkatësisht 40.1. dhe 40.2, thuhet se ka të tjera detyra për dallim nga OJQ-ja: “Institucioni ka këshillin profesional, përkatësisht artistik si organ kolegjial… Përbërja, themelimi dhe punët e këshillit profesional, përkatësisht artistik të institucionit përcaktohen më hollësisht me statut të institucionit, në pajtim me ligjin dhe aktin për themelim. (f. 10)
4. Organizimi dhe mbarëvajtja e artit pamor në anën tjetër, në kuadër të “Flakës së Janarit 2016”, thyen rëndë konkurrencën, pasi që krijon monopolin në organizim të ngjarjeve kulturore publike dhe kombëtare, vetëm nga ana e një organizate kulturore në fushën e artit, siç është Shoqata e Artistëve Figurativ të Gjilanit, duke përjashtuar mundësinë në organizim edhe të organizatave të tjera kulturore në komunën tonë;
5. Monopoli në organizim vetëm nga një organizatë kulturore shkelë rëndë edhe Ligjin kundër diskriminimit, duke mos marrë parasysh të gjitha subjektet kulturore në mënyrë të barabartë, pa dallim;
6. Monopoli në organizim vetëm nga një organizatë kulturore ndikon në mënyrat, metodat dhe format e tejkaluara të ekspozitave të artit pamor, duke e bërë “Penelin e Flakës” të perceptohet dhe përjetohet nga artdashësit, gazetarët e kulturës dhe njohësit e tjerë të artit, si ngjarje pa risi, pa kreativitet, pa profesionalizëm, pa ide bashkëkohore dhe me mënyra të përhershme konservative e tradicionale. Ky monopol ka thelluar uljen e interesimit të shumë artistëve të njohur lokalë e mbarëkombëtar për të mos marrë fare pjesë në këtë ngjarje, pasi që nuk ka qenë organizim transparent, me mundësi për pjesëmarrje në projektim idesh organizative dhe koncept kuratorial edhe të organizatave të tjera kulturore apo edhe individëve të tjerë me bagazh të pasur kulturor-artistik, qoftë brenda apo jashtë vendit;
7. Monopoli në organizim vetëm nga Shoqata e Artistëve Figurativ të Gjilanit ka ndikuar në ndihmën selektive ndaj OJQ-ve kulturore në komunë, duke ulur besimin dhe bashkëpunimin e OJQ-ve të tjera kulturore me komunën e Gjilanit;
8. Monopoli i tillë ka krijuar klane individësh që nga paslufta në organizimin e sektorit të artit pamor në kuadër të “Flakës së Janarit”, duke vazhduar me të njëjtën logjikë edhe në ditët e sotme, dhe zakonisht kanë qenë të njëjtit individë që kanë përcaktuar rrjedhën e gjithëmbarshme të ngjarjes “Peneli i Flakës”, duke anashkaluar organizatat e tjera kulturore në Gjilan dhe artistët e tjerë gjilanas.
Pas të gjitha këtyre argumenteve të sipërpërmendura, ne kërkojmë nga Njësia për Kulturë, Rini dhe Sport dhe në përgjithësi komuna e Gjilanit, që ta ndalë përfundimisht monopolin e organizimit të artit pamor në kuadër të “Flakës së Janarit” vetëm nga një organizatë sikur që është bërë tashmë traditë nga Shoqata e Artistëve Figurativ. Po ashtu, komuna ta ndryshon formën dhe mënyrën e përzgjedhjes së organizimit dhe procedurave të pjesëmarrjes, duke e bërë një “Ftesë publike për aplikim” për të gjithë organizatat kulturore dhe individët me edukim kulturoro-artistik, në mënyrë që të rritet konkurrenca, transparenca, llogaridhënia, barazia, drejtësia, cilësia, profesionalizmi, gjithëpërfshirja, e tjerë e tjerë. Thënë shkurt, të ndalet përgjithmonë monopoli në organizim dhe mbarëvajtje vetëm nga një OJQ, pa lënë anash edhe sektorët e tjerë në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit”. Një shoqatë apo OJQ nuk përfaqëson të gjithë artistët e Gjilanit, por as edhe të gjitha organizatat e tjera kulturore-artistike në komunë! /2L ONLINE/