DYLON

Kërkojnë ngritjen e shtatores së heroit të kombit, Idriz Seferi, në Qendër të Gjilanit

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” në Prishtinë bashkë me Lidhjen e Historianëve të Kosovës. Dega në Gjilan, përmes një kërkese të adresuar në adresë të kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, për ngritjen e shtatores së heroit të kombit, Idriz Seferi, në Qendër të Gjilanit

“Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” në Prishtinë së bashku me Kryesinë e degës së saj në Gjilan, nga mbledhja e përbashkët të realizuar më 26 nëntor 2015, njëzëri kanë vendosur të ju drejtohen me këtë kërkesë zyrtare për ngritjen e një shtatore të heroit të kombit, Idriz Seferi, në Qendër të qytetit të Gjilanit”, thuhet nëç kërkesë për t’u dhën edhe arsyetimi si më poshtë:

EkoHigjiena

A r s y e t i m

Gjilani dhe rrethina e tij në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare zënë një vend mjaft të rëndësishëm. Ky territor verilindor i viseve shqiptare ka qenë pjesë e pandashme dhe rrugëkalim i përpjekjeve dhe lëvizjeve për të drejta dhe pavarësi kombëtare, që në çdo kohë ka qëndruar në ballë të detyrës kombëtare, duke i dhënë atdheut bijë dhe bija që vunë zemrat e tyre në altarin e lirisë. Njëri ndër udhëheqësit kryesor që organizoi luftën e popullit për çlirimin dhe mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit osmanë, serbë, bullgarë etj., dhe bashkimin e viseve shqiptare në një shtet kombëtar, ishte kryetrimi dhe tribuni popullor i kësaj ane, Idriz Seferi.

Idriz Seferi u lind në vitin 1847 në një familje me vlera kombëtare. Meqë mungonin shkollat në gjuhën shqipe si pasojë e sunduesit të kohës, mësimet e para i bëri në odën e burrave dhe aty u kalit në frymën kombëtare. Që në moshë të re ai u përball me aktivitetin e çetave serbe e bullgare, ndaj qëllimeve të të cilave nuk mund të pajtohej në asnjë mënyrë. Kundërshtoi dhe luftoi autoritetet lokale osmane dhe u tregua mjaft aktiv në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Lidhjes Shqiptare të Pejës. Idriz Seferi në korrik të vitit 1907 mori pjesë në asgjësimin e çetës komite serbe të Pasjanit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në organizmin dhe mbarëvajtjen e Kuvendit të Ferizajt gjatë korrikut të vitit 1908, i cili rezultoi me ngadhënjimin e Revolucionit Xhonturk. Pas këtij Revolucioni, Idriz Seferi dha ndihmesë të çmuar në emancipimin kombëtar të arsimit dhe shkollës shqipe si në Gjilan e rrethinë të tij, dhe kudo në vise të tjera të Vilajetit të Kosovës.

Politika demagogjike, obskurantiste dhe reaksionare xhonturke, në kauzalitetin e situatës dhe rrethanave nëpër të cilat po kalonin shqiptarët, diktonte në esencë nevojën e autonomisë territoriale dhe administrative të Shqipërisë. Ky program u proklamua jo si doktrinë e vetme e platformës së Rilindjes, por si komponentë e përkohshme dhe e hartuar në simetri me aktualitetin e përgjithshëm shqiptar, ballkanik e më gjerë. Për realizimin e kësaj platforme politike kombëtare, Idriz Seferi jo rastësisht u gjend në krye të udhëheqjes popullore në kryengritjet kundërosmane të viteve 1910 dhe 1912. Në Luftën e Parë Ballkanike, së bashku me vullnetarët e tij, Idriz Seferi luftoi heroikisht në mbrojtje të të atdheut. Pas Pavarësisë së Shqipërisë në kufij të cunguar, ndonëse ishte në moshë të shtyrë, ai nuk pushoi së rezistuari e luftuari pushtuesit serbë e bullgarë. Në ditët e fundit të jetës, Idriz Seferi do të shprehej: “Nuk paska ma vështirë për burrin se sa me vdekë në shtëpi”. Kështu, drejtuesi dhe strategu i kryengritjeve për liri dhe pavarësi kombëtare, ndërroi jetë në moshën 80 vjeçare, në mars të vitit 1927, në fshatin Zhegër, ku edhe u varros.

I nderuar Z. Kryetar,

Për sa u tha më sipër, figurat kryesore të kombit si Hasan Prishtina, Bajram Curri e Isa Boletini, me të cilat Idriz Seferi punoi dhe veproi vazhdimisht, tashmë kanë shtatoret e tyre jo vetëm në qytete të Kosovës, por edhe të Shqipërisë. Vlerësojmë se edhe Idriz Seferi është i pandashëm nga rruga e tyre dhe krahas meriton t’i ngrihet një shtatore në Qendër të qytetit të Gjilanit. Prandaj, kërkojmë nga ju të ndërmerrni të gjitha veprimet e duhura që kërkesa jonë profesionale dhe kombëtare të realizohet praktikisht, për ç’gjë jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në çdo kohë.

Me respekt dhe mirëkuptim,

Prishtinë, 26 nëntor 2015
Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” – Prishtinë
Prof. dr. Fehmi REXHEPI – Kryetar
_____________________
Kontakti:
Mob: 044 124 799
E-mail: [email protected]

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” – dega në Gjilan
Ma. Blerim HAZIRI – Kryetar
________________
Kontakti:
Mob: 044 320 404
E-mail: [email protected]


Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.