/2L ONLINE/ – Kryetarja e Forumit të Gruas(FG) së LDK-së në Gjilan, Valentina Bunjaku – Rexhepi, që njëherësh është edhe kryesuese e Kuvendit Komunal, bashkë me bashkëpunëtoret e saja, po vazhdon me takime nëpër nëndegë, ku po takohet me gratë në struktura të LDK-së, me të cilat po bashkëbisedon për angazhimet e deritanishme politike, për ato në qeverisjen me komunë, si dhe për nevojat dhe kërkesat që i kanë ato.
Në këtë vazhdë, Bunjaku–Rexhepi ka takuar edhe strukturat e Forumit të Gruas të LDK-së në nëndegën III/2, me të cilat ishte e hapur për bashkëbisedë të sinqertë duke u fokusuar veçmas në marrjen e opinionit të tyre për qeverisje si dhe kërkesat dhe nevojat që i kanë ato për t’i i inkorporuar pastaj në angazhimet e saja edhe si kryesuese, edhe si e para e grave të LDK-së së Gjilanit.
Bunjaku–Rexhepi tha se i vlerëson si tejet të rëndësishme takimet që po i mbanë me këto struktura që vlerësohen lartë për kontributin e tyre të deritanishme dhe nga të cilat po merr të dhëna për nevojat që i kanë ato, përkatësisht të përfaqësuarat nga këto struktura.
Në këtë takim u tha se vlerësohet puna e kësaj qeverisje e veçmas e znj Bunjaku –Rexhepi, nga prizmi i kryesueses së Kuvendit Komunal, por nga ajo kanë kërkuar që në vazhdim të angazhohet që kjo qeverisje të ketë parasysh sa më shumë thithjen e investimeve të huaja, prurjen e donacioneve që do të gjeneronin vende të punës dhe pastaj gruaja gjilanase të jetë fuqi e punës.
E para e grave të LDK-së, u ka premtuar atyre që nuk do të kursehet asnjëherë, por do të angazhohet maksimalisht që femra ta ketë vendin e merituar në shoqëri dhe të ketë vende pune për to, sepse edhe ajo mund t’i kontribuoj familjes dhe shoqërisë edhe duke qenë e punësuar.
Valentina Bunjaku – Rexhepi tha se kjo qeverisje e tanishme e Gjilanit me kryetarin Lutfi Haziri po e trajton gruan në mënyrën më të mirë dhe angazhohet maksimalisht që ajo ta ketë vendin e saj të merituar në shoqëri, duke pas edhe vendin e saj të punës.
Përndryshe, Kryesuesja e Kuvendit i ka njoftuar të pranishmet me investimet që po bëhen edhe në këtë pjesë ku përfshihet nëndega III/2, ndërsa u premtoi atyre që në vazhdimësi do të jetë në kontakt me to, sa herë që ta lyp nevoja dhe zëri i tyre do të jetë i përfaqësuar siç është më së miri, në këtë qeveri lokale. /2L ONLINE/