(2L ONLINE) – Bordi i Klubit Futbollistik ‘’Gjilani’’ në mbledhjen e mbajtur ditën e hënë, ka vlerësuar si ‘kamuflazh’ dënimin e gjyqtarit Fatmir Tahiri, ndërkohë që dëmi që është bërë ndaj skuadrës së Gjilanit assesi nuk mund të kompensohet.
“Nuk mund të kuptojmë se si mund të futet në short një gjyqtar që është dënuar gjatë kampionatit disa herë e ndërkohë në ndeshjen ndërmjet Drenicës dhe Prishtinës ishte notuar me notën 1, të luajë me ndjenjat e një qyteti të tërë, me parat e donatorëve të klubit e me gjithë shikuesit e shumtë”, thuhet në komunikatë ne lëshuar nga KF Gjilani.
Më tej thuhet se arsyeja e largimit nga referimi i këtij gjyqtari veç se e qartëson dëmin që i është bërë skuadrës së Gjilanit, ndaj edhe ndeshja duhet të përsëritur për arsye se ishte ky gjyqtar që ndikoi direkt në rezultatin e ndeshjes dhe në përcaktimin se cila skuadër do të garojë për sezonin tjetër në elitë.
“Nuk mund të lejojmë që për shkak të një njeriu të ‘digjen’ gjitha fondet e klubit, prandaj kërkojmë nga Organet Kompetente të Federatës së Futbollit të ndërmarrë masat e duhura pasi përndryshe do të jetë e vështirë ti kthejmë donatorët sërish në futboll. Nuk kanë pse të investojnë kur ua mohojnë punën e mbi të gjitha të hollat që po i investojnë pa asnjë përfitim. Andaj përsëritja e ndeshjes do të jep një tjetër mundësi që të përmirësohen ato gabime tendencioze nga gjyqtari Tahiri dhe të shpëtojë donatorët nga mos largimi i futbollit në Kosovë që edhe ashtu dita e ditës po largohen nga këto padrejtësi që po u bëhen”, përfundon komunikata e lëshuar nga Bordi i Klubit Futbollistik “Gjilani”. /2L ONLINE/