Kërkojnë hapjen e një Zyre për Luginë edhe në Fushë Kosovë
/2L ONLINE/ – Lëvizja “Vatra”, si një organizatë e re politike me shtrije edhe në Komunën e Fushë Kosovës, duke u mbështetur në kërkesën e arsyeshme dhe shumë të nevojshme të qytetarëve të Luginës së Preshevës, sidomos këta të zhvendosurit prej vitit 1999 kërkojnë hapjen e një Zyre administrative, si një nevojë urgjente për zgjidhjen e problemeve të tyre, të cilët janë të grumbulluara tashmë një kohë të gjatë në Komunën e Fushë Kosovës.
Fehmi Ramadani, kryetar i Degës së Lëvizjes Vatra në Fushë Kosovë, thotë se në këtë Komunë jetojnë një numër i madh i qytetarëve të Luginës, të cilët po përballen me vështirësi dhe probleme të ndryshme në jetën e tyre të përditshme duke u nisur nga mungesa e dokumenteve të identifikimit, çështjeve të ndryshme pronësore, çështjen e shkollimit, regjistrimit të tyre nëpër shkolla fillore, të mesme dhe universitete, integrimin e tyre në jetën publike të kësaj Komune, si dhe bashkëpunimi në drejtime të ndryshme në kulturë, sport, arsim, ekonomi dhe segmente tjera ndërmjet Fushë Kosovës dhe Komunave të Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë).
Sipas Ramadanit, kjo Lëvizje shpreh shqetësimin e saj se një pjesë shumë e madhe e qytetarëve të kësaj ane tashmë kanë nisur që të hiqen nga regjistrat e Komunave, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të administruara nga Serbia, që në fakt po humbin edhe shtetësinë në vendin e tyre të lindjes.
“ Në këtë fazë janë probleme të mëdha për këta banorë, sepse asnjë të drejtë elementare nuk mund ta gëzojnë pa dokumentin e identifikimit. Lëvizja “Vatra” bënë thirrje që Komuna e Fushë Kosovës të veprojë njëjtë sikur Komuna e Gjilanit, e cila kohë më parë ka hapur një Zyrë për nevojat e qytetarëve të Luginës dhe është në shërbim të plotë të tyre, sepse këtë të drejtë ua ka mundësuar edhe Rezoluta e nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës në qershor të vitit 2013. Është e pakuptueshme që edhe pas 16 vjetëve nga përfundimi i luftës në Kosovë të ketë ende probleme për mijëra qytetarë të asaj ane për të fituar shtetësinë e Kosovës”, thotë Ramadani.
Ai thotë se Komuna e Fushë Kosovës me hapjen e kësaj Zyre do ta “kthente një borxh të vogël” dhe do të kryente vetëm një obligim ligjor dhe kombëtar, të cilin e kanë për detyrim për të mbrojtur të drejtat civile të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. /2L ONLINE/
