(2LONLINE) – Shefja e misionit të USAID-it, znj. Maureen Shauket, së bashku me kryetarin Lutfi Haziri kanë bashkëbiseduar me shoqërinë civile dhe me disa OJQ lidhur me dhunën në familje, të drejtën e trashëgimisë dhe efikasitetin e mbrojtjes së tyre nga ana e Gjykatës në Gjilan.
Me këtë rast znj. Maureen Shauket, ka thënë se Shoqëria Civile duhet të jetë edhe më aktive, duke kërkuar sundim të ligjit posaçërisht sa i përket trajtimit të rasteve të dhunës në familje. Dhuna në familje duhet të përfundoj. Kjo shoqëri nuk ka nevojë për këtë dukuri negative të shoqërisë. Tema të tilla duhet të diskutohen hapur sepse të drejtat e gruas duhet të jenë të barabarta si në mbrojtjen e tyre nga dhuna poashtu edhe të drejtën për të marrë pjesë në ndarjen e trashëgimisë.
Nga ana tjetër kryetari Haziri ka thënë se të gjithë mekanizmat e shoqërisë duhet të vihen në lëvizje për parandalimin e dhunës në familje por edhe për sundim të ligjit nga ana e gjykatave. Ai poashtu ka thënë se është dashtë që qendra e gruas “Liria”, si një organizatë për trajtimin e dhunës në familje të kishte të planifikuar buxhetin vjetor në kuadër të Komunës. Dhuna ndaj grave duhet të ndalohet dhe të promovohet aspekti i mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Në këtë debat të pranishëm ishin edhe organizata të tjera që monitorojnë gjykatën sa i përket lëndëve që i trajton në aspektin e shkurorëzimeve dhe kushtet që ofrohen nga qendra për punë sociale, ku një prezantim ka dhënë Shahadije Rexhepi, nga “Agro Eko”, dhe organizata “Polis” nga Lipjani për monitorim të rasteve që kërkojnë sqarimin e çështjeve të trashëgimisë, ku ka prezantuar Fitim Sadiku.
Gjithashtu grat e pranishme kanë kërkuar mbështetjen e institucioneve lokale dhe misionit të USAID-it për të promovuar mbrojtjen e grave nga dhuna në familje. /2lonline/