DYLON

Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për ‘’Vrasje të rëndë në tentativë’’ dhe ‘’Armëmbajtje pa leje’’

Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për ‘’Vrasje të rëndë në tentativë’’ dhe ‘’Armëmbajtje pa leje’’
Avatar photo Redaksia

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën kompetente në Gjilan, ndaj të dyshuarit I.O., për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale ”Vrasja e rëndë në tentativë’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se, më 23 Korrik 2020, në komunën e Vitisë, i dyshuari I.O., për shkak të një mosmarrëveshje familjare, rreth një prone, me dashje dhe me qëllim, ka tentuar t’a privojë nga jeta vëllaun e tij, tani të dëmtuarin O.O., duke rrezikuar edhe jetën e të dëmtuarve H.O. dhe F.O., ashtu që pas fjalosjes ka shtënë dy herë me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarve, me ç’rast të dëmtuarit O.O., i ka shkaktuar lëndime në pjesën e poshtme të këmbës së djathtë, ndërsa, të dëmtuarës H.O., i ka shkaktuar lëndime në krahun e majtë, të cilët për shkak të natyrës së lëndimeve janë detyruar të kërkojnë ndihmë mjekësore.

Po ashtu, i dyshuari I.O., në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi një armë zjarri dhe një revole me gaz.

EkoHigjiena