Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurit E.H., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja në tentativë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës ekziston dyshimi i bazuar se më datën 13 nëntor 2024, në Gjilan, i pandehuri E.H., ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin L.H., në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake verbale, me thikë e godet të dëmtuarin një herë në pjesën e shpatullës së majtë, ku pasi ndërhyjnë dëshmitarët dhe e largojnë i njëjti ikën nga vendi i ngjarjes, ndërsa, i dëmtuari si pasojë e plagës së marrë fillimisht dërgohet në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan, pastaj për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore transferohet në QKUK.
I pandehuri E.H., që nga koha e kryerjes së kësaj vepre penale ka qenë në arrati. /2LONLINE/