DYLON

Kërkohet paraburgim ndaj dy personave për falsifikim të parasë, falsifikim të dokumentit dhe tregti të ndaluar

Kërkohet paraburgim ndaj dy personave për falsifikim të parasë, falsifikim të dokumentit dhe tregti të ndaluar
Avatar photo Redaksia

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve L.F. dhe H.I., në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Sipas kërkesës, i pandehuri L.F., më datën 9 tetor 2024, në komunën e Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka zhvilluar veprimtari të paautorizuar të shitblerjes së produkteve duke shmangur taksat e obligueshme, ashtu që pas kontrollit nga Njësia e Task Forcë DRK – Lindja, në veturën e tij janë gjetur 14 paketime, me 700 boksa cigare të llojit Winston, pa dokument apo faturë mbi prejardhjen e mallit, në vlerë rreth 14.700 euro, të cilat ka pasur për qëllim që përmes rrugëve ilegale ti dërgonte në Serbi.

EkoHigjiena

Me këto veprime dyshohet për veprën penale ‘’Tregtia e ndaluar’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Po ashtu, i njëjti dyshohet edhe për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumentit’’, të KPRK-së, pasi që ka përdorur pasaportë të falsifikuar.

Ndërsa, i pandehuri H.I., dyshohet për veprën penale ’’Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore’’, të KPRK-së, pasi që gjatë kontrollit tek shtëpia e të njëjtit janë gjetur paketime të ndryshme të cigareve, pa dokumentacion përcjellës për prejardhjen e mallit.

Gjithashtu, i pandehuri H.I., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka vënë në qarkullim para të falsifikuara, ashtu që tek i njëjti janë gjetur edhe monedha metalike nga 2 euro, në vlerë të përgjithshme 640 euro.

Me këto veprime dyshohet se i pandehuri H.I., ka kryer veprën penale ‘’Falsifikimi i parasë’’, të KPRK-së.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, të njëjtit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh. /2LONLINE/