Kërkohet nga tatimpaguesit që t’ i kryejnë obligimet e tatimit në pronë për t’iu shmangur gjobës dhe interesit
Avdyl Kastrati – Drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Komuna e Gjilanit
NJOFTIM PËR PAGESËN E KËSTIT TË DYTË TË TATIMIT NË PRONË
Të nderuar qytetarë të Komunës së Gjilanit,
Afati për pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë është 30 shtator 2026. Ju ftojmë ta kontrolloni faturën tuaj dhe ta kryeni pagesën me kohë. Borxhet nga vitet e mëparshme duhet të shlyhen sa më parë.
Sipas nenit 23 të Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, tatimi vjetor paguhet në dy këste të barabarta: deri më 30 prill dhe deri më 30 shtator. Neni 35, paragrafi 6, parasheh gjobë prej 10% të tatimit të papaguar në rast vonese, ndërsa Neni 25 parasheh llogaritjen e interesit në baza mujore.
Si llogaritet vonesa? Nëse një këst prej 100 € mbetet i papaguar për 12 muaj, me normë interesi 0,65% në muaj, llogaritja orientuese është:
Tatimi i papaguar, Gjoba 10%, Interesi për 12 muaj
Gjithsej100 €x10%= 10€, 100×7.8%=7,80€ Totali 117,80 €
Nëse nuk paguhen të dy këstet, gjoba dhe interesi llogariten për secilin këst veçmas, duke filluar nga afati i tij përkatës. Shumën e saktë të detyrimit e gjeni në faturë.
Të hyrat nga tatimi në pronë i shërbejnë komunës për investime dhe shërbime që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve, përfshirë rrugët, ndriçimin publik, shkollat dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike.
Shmangni pritjen në radhë: faturën mund ta kontrolloni dhe ta shtypni përmes portalit të tatimit në pronë si dhe Ekosova si dhe në sportelet e Tatimit në Pronë. Nëse jetoni jashtë vendit, mund ta kontrolloni faturën edhe nga atje, pasi të jeni regjistruar në sistem.
Paguani deri më 30 shtator 2026 për të shmangur gjobën dhe interesin.
Drejtoria për Buxhet dhe Financa – Komuna e Gjilanit
