Kosova ka një ligj shumë të avancuar për kontrollin e duhanit, ndërsa sfidat e zbatimit të tij në praktike kërkojnë një bashkërendim sa më gjithëpërfshirës të aktiviteteve nga të gjithë për respektimin më të mirë të tij.
Kështu u tha sot në konferencën e organizuar nga iniciativa e të rinjve “Mos e dhez” që u mbajt në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së, ku edhe u bë lansimi i platformës on-line për raportimin e shkeljeve të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, produkt i kësaj iniciative.
Gjithashtu, gjatë kësaj konference u bë prezantimi edhe i rezultateve të një hulumtimi që flet për shkelje të theksuara të ligjit sidomos gjatë stinës së dimrit, kryesisht në lokale të gastronomisë, por edhe të administratës shtetërore dhe shëndetësore, të cilat i ka prezantuar Selvije Kurti, projekt koordinatore e iniciativës KfP.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se problemi i duhan-pirjes është mjaft i theksuar në Kosovë, ndërsa, me synim të parandalimit të kësaj dukurie, dhe mbrojtjes së shëndetit publik, Ministria e Shëndetësisë ka qenë mjaft e angazhuar me përpjekjet e saj për të arritur objektivat e synuara. “Miratimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe puna e vazhdueshme e Inspektoratit Shëndetësor dhe Inspektoratit Sanitar, bashkë me inspektoratet e tjera, e OBSH-së dhe iniciativat e ndryshme nga organizata jo-qeveritare, dhe angazhimet e mia personale për respektimin e Ligjit për Kontrollin duhanit, sidomos në sektorin shëndetësor, kanë prodhuar rezultate, me të cilat natyrisht se nuk jemi të kënaqur, sepse synojmë zbatim më efektiv të ligjit. “Rezultatet vazhdojnë të jenë shqetësuese për ne si politik-bërës ndërkohë që besojmë që bashkëpunimi dhe kontributi qytetar është më se i domosdoshëm, sepse kemi të bëjmë me një ligj që synim të parë dhe të vetëm ka mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga pasojat e rënda të duhan-pirjes”, tha Ministri Rrahmani.
Deputetja Flora Brovina, kryesuese e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se Kuvendi duke pasuar parasysh disa të meta që kishte ligji paraprak, ka pasur për obligim para qytetarëve që të miratojë një ligj që mbron shëndetin e popullatës, pasi që, theksoi ajo, faktet rreth duhan-pirjes në Kosovës ishin shqetësuese, sidomos rreth duhan-pirjes në mesin e gjinisë femërore dhe ekspozimit të tymit të duhanit nga fëmijët.
Ajo u shpreh kritike për shkelje të ligjit në institucionet që duhen të jenë shembull përfshirë Kuvendin e Kosovës, institucionet qeveritare, ato shëndetësore dhe arsimore, ndërsa tha se fuqizimi i masave , krahas aktiviteteve për rritjen e vetëdijes shëndetësore janë rruga për të zbatuar këtë ligj shumë të avancuar.
Koordinatori shtetëror për Kontrollin e Duhanit Faik Hoti, tha se Ligji për Kontrollin e Duhanit, përkatësisht zbatimi apo shkeljet e tij, ndan fatin që kanë edhe ligjet e tjera të miratuara në Kosovë dhe të njëjtin nuk mund ta shohim jashtë këtij konteksti. Kur është në pyetje ky ligj, theksoi ai, atë duhet parë në katër dimensione: në atë të fakteve shkencore për dëmet shkatërruese që sjellë duhanpirja; dimensionin ekonomik ku humbjet nga duhani janë shumëfish më të mëdha se përfitimet që buxheti i shtetit merr nga taksat nga ky produkt; dimensionin e ndryshimeve evidente pozitive që ligji ka sjellë në shoqërinë kosovare pavarësisht se është sfiduar në vazhdimësi, dhe dimensionin e implementimit të tij dhe sfidave, ku gjithsesi shquhen mungesa e resurseve financiare për një mbështetje më të fortë, koordinimi joadekuat midis akterëve kyç, përkrahja politike e pa-mjaftuar për këtë ligj dhe interferimi i vazhdueshëm i industrisë së duhanit në përpjekje për të diskredituar efektet pozitive të tij.
Në këtë konferencë, panelistët dhe pjesëmarrësit kanë debatuar aspekte të ndryshme rreth ligjit dhe ka qenë konstatim i përbashkët se zbatimi i tij duhet të përcillet edhe me ngritjen e ndërgjegjësimit tek të gjitha gjeneratat dhe ndryshimin gradual të sjelljes rreth shëndetit në Kosovë.
Iniciativa e të rinjve “Mos e dhez”, është kampanjë në mediat sociale e shtrirë në tërë territorin e Kosovës, me qëllim të respektimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe si iniciativë ka dalë nga Shkolla për Mediat e Reja (program i NDI dhe USAID në Kosovë.