DYLON

Kërkohet konsideratë për obligimet tatimore për shkak të vështirësive financiare

Kërkohet konsideratë për obligimet tatimore për shkak të vështirësive financiare
Avatar photo Redaksia


Ndikimi i COVID-19 mbi kompanitë e sektorit privat, si dhe implikimet në obligimet e tyre tatimore, por edhe marrëdhëniet e përgjithshme me Administratën Tatimore të Kosovës, ishin në fokus të tryezës së diskutimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se partneriteti i përfaqësuesve të sektorit privat me Administratën Tatimore të Kosovës është i rëndësishëm për operacionet e ndërmarrjeve të sektorit privat. Ai po ashtu tha se roli i ATK-së është kyç edhe në menaxhimin e detyrimeve tatimore pas vështirësive financiare të shkaktuara si pasojë e pandemisë COVID-19.

EkoHigjiena

Drejtori i  Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj foli për rolin që ATK ka luajtur gjatë pandemisë në mbështetje të funksionimit të bizneseve, duke theksuar thirrjen e këtij institucioni për aplikim për faljen e borxheve tatimore. Murtezaj foli edhe për nevojën e fuqizimit të bashkëpunimit me ndërmarrjet private për luftimin e ekonomisë joformale. Ai mes tjerash falënderoi Odën Amerikane edhe për partneritetin konstruktiv.

Në anën tjetër, Ardiana Bunjaku, thesariste e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, si dhe drejtoreshë e Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës lavdëroi Administratën Tatimore për punën e bërë në avancimin e sistemit elektronik të deklarimit tatimor, megjithatë ajo shprehu shqetësimin për procesin e rishikimit të politikave tatimore si në aspektin kohor, por edhe të qartësimit paraprak të ndryshimeve të mundshme.

Gresë Rexhepi, kryesuese e Komitetit Tatimor të Odës Amerikane dhe Menaxhere e Tatimeve në PricewaterhouseCoopers, po ashtu foli për rëndësinë e digjitalizimit të proceseve tatimore, gjë që ka ndikuar në rritjen e efikasitetit të deklarimit dhe pagesës së tatimeve por edhe në ngritjen e transparencës së përgjithshme. Ajo tha se së bashku më anëtarët e Odës Amerikane kanë përgatitur rekomandimet për politikat fiskale të lidhura me periudhën paspandemike, por edhe rekomandime të tjera të përgjithshme.

Përfaqësuesit e pranishëm të bizneseve ngritën çështjet që lidhen me funksionimin e sistemeve të Administratës Tatimore, por edhe me bllokimin e llogarive të tyre bankare gjatë periudhës tatimore, duke bërë thirrje për konsideratë nga ana e institucioneve shtetërore për shkak të vështirësive të tyre me të cilat përballen këto ndërmarrje tash e sa muaj.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.