DYLON

Kërkesat e studentëve duhet të përkrahen

Avatar photo Redaksia

(2LONLINE) – Kërkesat e studentëve të cilat po ndodhin këtyre ditëve për shkak të dyshimeve për keqpërdorime finansiare në UP si dhe dhënien e diplomave me të holla, po qese janë kërkesa të pa politizuara, ato duhet të përkrahen fuqishëm. Dhe, minimumi i plotësimit të këtyre kërkesave do duhej të ishte dorëheqja e rektorit dhe gjithë atyre që kanë bërë keqpërdorime financiare ose të çfarëdo lloji tjetër qofshin ato, sepse njollosja dhe degradimi i tempullit të diturisë, siç është UP, i cili në rrethanat okupuese ia doli t’i mbijetoi dhunës dhe terrorit serb, është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë Kosovës në kohën kur aspiratat e shqiptarëve janë të drejtuara kah anëtarësimi sa më i shpejt i tyre në BE dhe struktura tjera evropiane dhe ndërkombëtare.

Tani më janë bërë të tepërta dhe shumë të padurueshme skandalet dhe aferat e njëpasnjëshme që e kanë goditur Kosovën pas luftës çlirimtare, madje i kanë kapërcyer gjitha normat ligjore dhe morale të shoqërisë sonë, duke arritur kulmin në dëmtimin e imazhit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kështu që, është koha e fundit për largimin e atyre të cilët me vite i kanë keqpërdorë pozitat e tyre shtetërore dhe qeverisëse, duke ushtruar diktat politik në të gjitha institucionet shtetërore dhe OJQ-të e pavarura, dhe ç’është edhe më e papranueshmja, duke ushtruar ndikim politik mbi institucionin më të shenjtë arsimor të Kosovës, siç është Universiteti i Prishtinës..!

EkoHigjiena

Mërgata politike dhe ekonomike gjithnjë ka qenë në përkrahje të kërkesave të studentëve, sepse ata kanë qenë zëri i rinisë sonë si dhe shtresa më vitale e kombit, përfshirë brezat e tanishme të cilat, për fat të mirë, po rriten në Kosovën e lirë dhe të pavarur. Këto gjenerata e kanë merituar të rritën dhe arsimohen të lira dhe të çliruara nga të gjitha hipotekat e të kaluarës, ndaj si të këtilla nuk durojnë më që të edukohen në mjedise ku lulëzon korrupsioni, nepotizmi, falsifikimet dhe plagjiatët e shumta në fushën e diturive dhe shkencave shqiptare, ngase nuk e lejojnë më vrasjen e ardhmërisë së tyre.

Prandaj, është e natyrshme që studentet tanë duan të jetojnë të barabartë dhe krahas me popujt e civilizuar të kontinentit që i takojnë. Dhe, për hir të së ardhmes së tyre gjesti më normal do të ishte tërheqja e zotni Gashit që t’i hapë rrugën luftës kundër dukurive negative të cilat e kanë kapluar, jo vetëm Universitetin, por të gjitha segmentet e shtetit dhe shoqërisë kosovare..!?

/Hafiz Gagica/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.