Kërcënimet nga Serbia janë kthyer me një dinamike krejtësisht të re
/2L ONLINE/ – Mustafë Shaqiri, njëri nga drejtuesit e Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës, Lëvizje që bashkon shqiptarët e Luginës së Preshevës në Kosovë dhe ish zv. Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës Bujanocit dhe Medvegjës për 2LONLINE flet se kohëve të fundit situata në të gjithë hapësirën shqiptare po shkon duke u rënduar për shkak të stereotipeve ideologjike, standardeve të dyfishta të BE-së në raport me shqiptarët dhe veprimeve të papërgjegjshme dhe abosolutisht të papranueshme nga ana e shtetit serb.
Sipas tij, këto tre komponentë nuk e kanë lehtësuar, por vetëm i kanë tensionuar marrëdhëniet shqiptaro-serbe duke reduktuar mundësinë për një paqe të qëndrueshme në mes të këtyre dy popujve.
“Për shumë kë, kjo mund të tingëllojë si një deklaratë e tepruar, por këto janë vlerësime reale të një situate shumë pesimiste që është krijuar. Për fat të keq, më duhet të them se situata tani është më keq se sa mund të supozojë dikush. Zhvillimet kanë marrë një kthesë shumë të papërshtatshme që nga përfundimi i luftës së armatosur. Faktori ndërkombëtar kishte filluar të mendojë se kërcënimet që po vijnë nga Serbia tanimë janë kapërcyer, por në fakt këto kërcënime janë kthyer me një dinamike krejtësisht të re”, ka thënë Shaqiri.
Sipas tij, koncepti për Serbinë e Madhe ka filluar të bëhet realitet dhe me shumë sukses po realizohet përmes tri veprimeve: – Republika Srpska në Bosnjë ka paralajmëruar mbajtjen e referendumit në vitin 2018 për shkëputje nga Bosnja e Hercegovina. – Për më tepër ne kemi humbur zotërimin e kontrollit tonë në veriun e Kosovës dhe minoriteti serb në Kosovë po riorganizohet territorialisht. – Politikat e spastrimit etnik në Luginë të Preshevës po e zbrazin këtë krahinë shqiptare dhe të drejtat e tyre po injorohen.
“Të gjitha këto veprime janë mirë të organizuara nga Qeveria e Serbisë dhe në perspektivë çojnë në ndryshimin e kufijve në Ballkan. Përballë këtyre veprimeve, ne kemi nevojë, sa më parë, për një unitet të përgjithshëm kombëtar, por dhe njëkohësisht më shumë se kurrë për të krijuar mekanizma për të parandaluar invazionin serb në hapësirën shqiptare. Veprimet e shtetit serb janë bërë kërcënime të përditshme për tërë Ballkanin. Andaj, ne nuk duhet që t’ia lejojmë vetes që të veprojmë në mënyrë të rastësishme dhe të paqëndrueshme”, ka thënë ai.
Në kontekst të kësaj, Mustafë Shaqiri thotë se e konsideron të papranueshme edhe qëndrimin e Bashkimit Evropian në raport me Serbinë, e cila po i mbyll sytë përballë sjelljes agresive e tradicionale të Beogradit.
“Ne, si Lëvizje për Integrim të Luginës së Preshevës duke i përcjellë me shumë kujdes këto zhvillime jemi të habitur se si ka mundësi që këto kërcënime reale të tolerohen në këtë hapësirë. Iniciativat e Bashkimit Evropian për të kthyer gjendjen normale në Ballkan po dështojnë një nga një pa ndonjë rezultat”, ka thënë Shaqiri.
Sipas tij, nga ky dështim praktikisht po i hapen dyert infiltrimit të influencës ruse e cila po dëshmohet se ka përvojë të madhe në politikat destabilizuese në shumë rajone të tjera.
“Andaj, më duhet ta them troç se kam frikë nga një përsëritje e historisë, ende pa u rikuperuar nga tragjedia luftërave të fundit të shkaktuara nga shteti serb”, është shprehur Mustafë Shaqiri, njëri nga drejtuesit e Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës dhe ish zv. Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës Bujanocit dhe Medvegjës. /2L ONLINE/
