Ambasadorja e SHBA-së, Tracey Jacobson në një intervistë për RTK, ka thënë se është duke e përciellë nga afër fushatën parazgjedhorë për zgjedhjet e 3 nëntorit. Jacobson ka theksuar se ka shumëçka që mund të thuhet se është pozitive. Sipas saj, fushatat në përgjithësi janë mbajtur pa incidente serioze.
“Fushatat ofrojnë mundësi të shkëlqyeshme për udhëheqësit politikë që të dëgjojnë drejtpërdrejt prej njerëzve dhe komuniteteve rreth sfidave me të cilat përballen ata. Por, në fund të fundit, do të varet nga vetë votuesit për të vendosur rreth cilësisë së secilit kandidat. Kemi dëgjuar raporte shqetësuese të kërcënimeve dhe frikësimeve dhe natyrisht, kjo është e papranueshme. Këto duhet të raportohen në polici. Kam biseduar me shefin e policisë dhe me ministrin e punëve të brendshme dhe e di se ata janë të gatshëm që të hetojnë çfarëdo rasti të parregullsisë që shfaqet. Kam pasur rastin të flas edhe me kryeprokurorin e shtetit. E di që të gjithë prokurorët janë të trajnuar dhe të gatshëm që ta zbatojnë ligjin, përfshirë edhe ndëshkime më të rrepta dhe gjoba më të mëdha që janë përfshirë në Kodin e ri të Procedurës Penale që ka hyrë në fuqi në vitin 2012. Mendoj se ka pasur edhe mjaft fushatë për ndërgjegjësimin e opinionit publik. Kushdo që e shikon TV-në apo dëgjon radion duhet ta dijë rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të drejta; duhet ta dijë se si mund të raportojnë çfarëdo rasti të mashtrimeve që e shohin. Në fund, më e rëndësishmja është që njerëzit të marrin pjesë në zgjedhje; të dalin të votojnë. Zgjedhjet ofrojnë mundësinë që njerëzit në Kosovë të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet në komunat e tyre, gjë që është diçka tepër e rëndësishme sepse është më së afërmi shtëpisë së tyre. Shpresoj se njerëzit do ta marrin këtë të drejtë dhe përgjegjësi demokratike shumë seriozisht të dielën”, ka theksuar Jacobson.
Ambasadorja e SHBA-së Tracey Jacobson ka komentuar edhe takimin e djeshëm me liderët politikë.
“Unë takohem me udhëheqësit politikë gjatë tërë kohës, veç e veç apo edhe në grup. Në këtë çast, të gjithë janë të përqendruar për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta. Këtu përfshihet edhe bashkësia ndërkombëtare dhe Ambasada e SHBA-së, prandaj unë vazhdoj të bisedoj me udhëheqësit politikë rreth kësaj. Ata do ta luajnë rolin kryesor në këtë. Por do të thoja se nuk varet vetëm nga udhëheqësit politikë. Kjo varet edhe nga votuesit, nga qytetarët, nga të gjitha institucionet. Edhe mediat, si dhe shoqëria civile, luajnë rol në këtë. Pra, përderisa mund t’i mbajmë udhëheqësit politikë përgjegjës për veprimet e përfaqësuesve të tyre, këto janë zgjedhje të Kosovës. Ato iu takojnë të gjithëve njerëzve në Kosovë dhe të gjithë luajnë rolin e tyre. Në të vërtetë, më vjen shumë mirë për punën e palodhshme të bërë nga Komisioni Qendror Zgjedhor dhe Paneli Zgjedhor për ankesa dhe parashtresa dhe ndërveprimin e tyre me OSBE-në, BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare. Prandaj, po, flas me politikanë, por unë po flas me shumë njerëz”, ka theksuar Jacobson.