DYLON

Keqinterpretim i rezultatit të votave nga PDK-ja!

Avatar photo Redaksia

(2L ONLINE) – PDK-ja respektivisht koalicioni i PDK-së ka fituar më së shumti vota, por nuk është fituese e zgjedhjeve. Sidomos jo në rrethanat e krijuara pas zgjedhjeve. Vendi i parë nuk të kualifikon për asgjë, përveç se, varësisht nga rezultati i partive tjera, mund të jetë përparësi në garën për formimin e koalicionit qeverisës. Në momentin kur nuk gjen partnerë të nevojshëm në Parlament për formimin e qeverisë, vendi i parë për nga numri i votave, përveç disa përparësive në komisione parlamentare dhe propagandës mediatike nuk ka ndonjë vlerë të madhe.

Gara elektorale nuk është kampionat i futbollit ku ai që grumbullon më së shumti pikë shpallet kampion! Në zgjedhje respektivisht pas zgjedhjeve partia e dytë e tretë dhe e katërt mund t’i bashkojnë pikët dhe ta kalojnë bindshëm partinë e parë. Gjë që është plotësisht legjitime dhe e praktikuar në të kaluarën dhe aktualisht në mjaft vende të ndryshme të Evropës.

EkoHigjiena

Ja një shembull.

Në zgjedhjet parlamentare të Norvegjisë partia e parë Arbeiderpartiet kishte 30.9%, partia e dytë Hoyre 26,8%, partia e tretë Fremskrittpartiet 16,3%, partia e katërt 5,6%…
Megjithatë qeveria u formua nga partia e dytë me 26,8% dhe nga partia e tretë me 16,3% nën udhëheqjen e Erna Solberg.
Përbërja e Stortingut-Parlamentit norvegjez.
E gjithë kjo ka ndodhur në fund të vitit 2013 dhe jo në shekullin e kaluar.
Kush është fituesi, Stoltenbergu i Socialdemokratëve që humbi rreth 5% (ngjashëm si PDK-ja në Kosovë) apo Partia e Solberg që u rritë dukshëm, por përsëri ishte vetëm e dyta?!
Çfarë ka fituar Partia Socialdemokratike e Stoltenbergut me “vendin e parë”?! Asgjë!

Ja një shembull tjetër edhe më eklatant…

Zgjedhjet Parlamentare në Landin/ Republikën e Baden-Württemberg të Gjermanisë 2011:
Partia e parë: CDU (partia kancelares Merkel) 39,0 % apo 60 mandate në Parlament.
Partia e dytë: Grünen 24,2 % apo 36 mandate në Parlament.
Partia e tretë: SPD 23,1 % apo 35 mandate në Parlament.
Partia e katërt: FDP 5,3 % apo 7 mandate në Parlament.

Si rezultat i këtij konstelacioni për herë të parë pas një qeverisje të vazhdueshme 58 vjeçare të CDU (në koalicion apo e vetme) qeveria e kësaj Republike u formua nga ish-opozita respektivisht nga Grünen+SPD nën udhëheqjen e Kryeministrit nga radhët e Grünen (partia e dytë sipas votave dhe mandateve).

Edhe në Suedi Partia Socialdemokrate është shumë më madhe se Partia moderate që qeverisë këtë shtet. Socialdemokratët në zgjedhjet e fundit fituan fituan më shumë vota dhe dolën në vendin e parë. Edhe pse dolën të parët mbetën në opozitë dhe nuk e bëjnë të madhe atë punë, as që e diskutojnë.

/Faik KRASNIQI/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.