Kënga e Hajredinit
Shkruan: Femi Halimi
Folklor – Bota e përjetimit dhe frymëzimit
KËNGA E HAJREDINIT
Ndër këngët folklorike më të fuqishme te ne është Kënga e kështuquajtur, e Hajredinit.
Të gjitha këngët folklorike janë të fuqishme, me një ngarkesë të jashtëzakonshme të Pikës Morale dhe me një shkarkim përtej arsyes së hakmarrjes për mosmbajtjen e parimeve njerëzore. Hakmarrja nuk është njerëzore mirëpo është vlerë kundër thyerjës së normave dhe këtë e bëjnë të gjithë njerëzia përmes pushteteve, për të mbajtë një rend dhe standard normash publike e private. Ka në këtë ndryshime e padrejtësi në zbatim porse parimi është i njëjtë te të gjithë.
Normat rregullojnë dhe mbajnë jetën në bashkësi, që do të thotë se thyerja e normave sjell ndëshkim patjetër, që bëhet për ta parandaluar krimin. Tek Kënga e Hajredinit, mu sikur në të gjitha këngët tona folklorike, norma del në qendër të ngjarjes a tregimit, a fabulës si thuhej herët, e thehet në një kthesë të ashpër morale, që nuk mund të lejohet të kalohet pa ndëshkim.
Fabula e Këngës kështu rrëfen si rëndom në këngët e folklorit, a popullore të traditës, një rast të veçant e me shumë rëndësi nga e kaluara, në kohë të sundimit të turqëve në vend tonin. Personazhet janë shumë të afërt nëmes vete anise pa lidhje gjaku, e ku ndodhë një thyerje e normës së sjelljes në një kthesë rasti që prishë gjithë harmoninë nëmes dy personazheve të këngës.
Tregimi i këngës: Hajredini kryepersonazhi ishte një burrë fisnik i traditës. Familja e tij kishte mbajtë një jetim në shtëpi për njerëzi, dhëmbshuri dhe kulturë tradite shqiptare. Këso mbajtje kishte shumë në popull. Vinin nga pasojat e luftërave, nga shpërnguljet, nga sëmundjet, nga leçitjet, a nga lidhjet e gjakut vëllazëror që ishte traditë në vete, me ngjyerje gjaku që dilte nga maja e një gishti të dorës të therrur pak sa për pakëz gjak nëmes dy fëmijëve me një trohëz bukë e për një vëllamëri nëmes familjeve e fiseve.
Krejt ishte në rregull dhe as kënga nuk do të ishte po të kishte shkuar krejt jeta me rregull normash, por ja se vetë dalja nga normat bëhet kusht për të qenë kënga dhe mësimi për brezet që janë e që vijnë për normat e sjelljes që duhet të mbahen. Ashtu Familja e Hajredinit kishin mbajtë një jetim, që ishte rritur me Hajredinin, e që si i thotë Hajredini jetimit kur ky ishte bërë më çaush me shumë zapti, se “, s’t’kemë mshefë motër, s’t’kemë mshef gru’ ’’, të ka dashtë nana ma fort se mu’ ”…
Ai jetimi por sipas përfundimit të këngës shihet se ishte bërë ashtu çaush me zapti, që në kohë të sundimit turk në anët tona ishte një komandues i policëve në një njësi administrative të vendit.
Kënga bjen shkas e të përmendet për mësim në popull bëmirësia vend e pa vend e cila nuk kthehet me falënderim gjithmonë, por shpesh ndodhë të kthehet me të keq e me pabesi, sepse nuk është një lidhje e qëndrueshme dhe e natyrshme mbrenda një familjeje. Do të thotë se nuk mbahet njeriu i huaj në shtëpi si dëshmon kënga thënë haptas dhe përtej kësaj edhe normat ligjore e fetare e udhëzojnë këtë.
Zakonisht tek ne ka ndodhë edhe më tragjike lidhja e këtillë pasise në lidhjet mbrenda familjes te ne në Kosovë ka qenë edhe pushteti i huaj, që bënte sundimin përmes përçarjeve të njerëzve nëmes vete, stërkeqjes e armiqësisë, e për ta mbajtë ashtu popullin të përçarë leht në sundim. Në socializëm ka qenë punë e shtetit ta bënte atë që banonte brenda një familjeje të huaj që të bashkëpunonte me pushtetin e të informonte rregullisht sigurimin për çdogjë që ndodhte brenda në atë familje. Kjo përdorej gjërësisht ndaj familjeve të mëdha, e sidomos atyreve atdhetare.
E tregonin një rast kur isha në studime në vitet e ‘Shtatdhjeta, një rast nga Gjakova, kur një student nga një familje e madhe dhe e pasur, e lutë prindin ta ndihmonte një djalë të varfër që ai e njihte mirë, që ta vazhdonte shkollimin pas shkollës së mesme me të në fakultet në Prishtinë dhe prindi i tij e dëgjon dhe e ndihmon atë djalë. Ai djalë kishte qenë shumë i zgjuar dhe kishte kryer fakultetin rekord, mandej kishte mbajtë një mbrëmie deri në mëngjes me shokët e shoqet në një restorant, në një festë shënimi të suksesit të vet. Në ndarje në mëngjes sigurimi i shtetit kishin ardhë te ta dhe kishin arrestuar këtë djalin që i kishte ndihmuar skamnorit të kryente shkollimin, mandej tregimi thoshte se ai bëmirësi kishte mbajtë katër vjet burg politik. Kështu diçka në role njësoj ose në role ndryshe.
Edhe familja e Hajredinit kishin mbajtë një djalë të zgjuar e të dhëmbshëm në shtëpi të tyre, me bëmirësi, pasise kjo bëmirësia kishte qenë ndër gjërat më fisnike njerëzore në popull tonë. Ai djali, që kishte qenë edhe jetim mandej, po edhe pa familje krejt e pa shtëpi, edhe me sëmundje, ai djali mandej thotë kënga pas do vjete shkon në luftë kur kishte nisë lufta dhe kishte marrë plagë, e ishte mjekuar kohë të gjatë, e mezi kishte përballua dergjën.
Pas gjithë këtyreve, ai jetimi kishte shkuar drejt e te pashai i vendit, e i kishte kërkuar pashait vend pune, e ta bënte zapti –polic ose çaush, që ishte epror i zaptive dhe pashai edhe e kishte bërë çaush, se ai djali ishte mqefë mirë në familjen e Hajredinit, me shëndet e me sjellje!
Kështu kënga duket se përfundon me një fund të gëzueshëm a hepiend si po thuhet tani anglisht, -porse jo, kënga nuk e përfundon tregimin, tekstin me kaq, por kalon në një pjesë të dytë, ku vjen diçka krejt tjetër, kundër zakonit e sjelljes njerëzore dhe tregimi me këtë vazhdon me një tragjedi.
Kënga na rrëfen dhe me melodi plotësohet fuqishëm nga këngëtarët rapsodë të folklorit, se një dite pasi jetimi ishte bërë çaush, e kishte dalë në teren, takohet me Hajredinin në rrugë. Hajredini i folë, e përshëndetë, gëzohet që takohen dhe i vjen shumë mirë që ai ishte në punë të shtetit e çaush! Hajredini mandej gjërësisht e njofton çaushin për vete, për njerëzit e shtëpisë e për punët, dertet e hallet!
Çaushi e pyetë Hajredinin, po me një pyetje të ftoftë, se ku ishte nisë e ku po shkonte dhe Hajredini me afsh gëzimi gjithashtu i kallzon se po shkonte te një mik t’ia kthente një borxh në paratë e asaj kohe. I thotë Hajredini edhe do fjalë tjera njerëzisht e me mirësjellje, e në bisedë me jetimin që ishte çaush atëherë më, po, i tregon se edhe një dasëm e kishin për një djalë, për të cilin i tregon çaushit, që çaushi e dinte, sepse kishte qenë njeri i shtëpisë së Hajredinit më.
Mirëpo, çaushi i thotë Hajredinit ashpër në distancë se duhej ta dorëzonte armën e gjatë njëherë, e se nuk mund ta lëshonte!…Hajredini megjithë habitjen, vazhdon me lojë fjalësh me të, porse çaushi më rrebt urdhëron ta dorëzonte armën e të dorëzohej donte të thoshte edhe vetë, e që ishte që tani thuhet arrestim dhe dërgim duarlidhë në Stacion Policor!
Po nuk ishte as atëherë traditë ashtu t’i merrej arma dikujtë, me koritje! Fundifundit arma mbahet haptas pasi pushteti ta lejon këtë, e kjo ka qenë kështu dhe kështu është edhe tani në kohë tonë. E Hajredini ishte me emër të vet e të familjes dhe dinte se nuk kishte bërë ndonjë punë të ligë a tinzare që pushteti t’i kërkonte kështu dorëzimin e armës që vetë ia kishte lejuar ta mbante!?
Kur është fjala tek mbajtja e armëve në kohë të sundimit turk, në një shkrim të tij të botuar shkrimtari gjerman Johan Gëte tregon vetë në një udhëtim të tij nëpër bjeshkët e Shqipërisë, si kishte parë një rast në Malësi, në një kthesë pushimi përnjëherë, një grupë sanxhakbejlerësh turqë në bisedë me shqiptarë me armë krahut! Gëte pra cekë se shqiptarët malsorë, që dalloheshin nga turqët me veshjen e tyre shqiptarqe, thotë Gëte, flisnin e qeshnin me sanxhakbejlerët, me armë krahut, -e kur popujt tjerë dridheshin brenda nëpër shtëpia nga pushteti i sanxhakbejlerëve në atë kohë! Kur ndokush në teren andej këndej binte në sanxhakbejlerë atëherë, vritej…Po të kthehemi tek Hajredini!
Në këtë, Hajredini, i prekur thellë nga pabesia e jetimit, ia njehë si rrëfen kënga, se kishte qenë për aq kohë në familje të tij si të kishte qenë i familjes, e që si i thotë Hajredini, se “nana ishte përmallue me e pa jetimin, se e kishte dashtë ma shumë se Hajredinin djalin e vet”, e tjera kësisoji! Çaushi por me çdo kusht insiston që Hajredini të dorëzonte armën.
Pjesa e Tretë e këngës dhe fundi janë një monolog sikur nga legjendat ku Hajredini ia njehë edhe njëherë jetimit të mirat që ai i kishte pasë në shtëpi të tyre, e se ishte i prekur thellë e i tronditur nga përbuzja e mospërfillja e jetimit, por që Hajredini tregon edhe anën tjetër të veten, në rast se keqpërdorej sjellja e mirë, e për më tepër ia hedh në fytyrë jetimit fjalët e njerëzishme për çastin që i kishte thënë çaushit me zapti, deri edhe “merr zaptitë e hajde noj ditë, se për ty nana shumë o mërzitë”.
I thotë për fund më të fuqishmën në popull: “Ty çaush o të vraftë buka”!…
Kështu por, përderisa Hajredini ia njehë çka mundet të mirat e sjelljen njerëzore me mëshirë e dhëmbshuri të prindëve ndaj jetimit, duke e mbajtë bashk me fëmijtë e tyre, në anën tjetër çaushi veç çka ishte ashpërsuar e stërkeqë. Pas gjithë fjalëve të tilla, me shpejtësi Hajredini mandej sjell armën dhe vret çaushin me shumë zapti, e tjerët ikin.
Largohet Hajredini mandej pas fatkeqësisë, ashtu me bela me pushtet e me tëra të këqijat, e që kishin ardhë nga sjellja e përbuzshme e jetimit ndaj mirësisë së familjes së Hajredinit dhe nga keqpërdorimi i detyrës zyrtare si thuhet tani.
Thuhet se Hajredinin nuk e ndoq edhe aq pushteti turk atokohë, e ku edhe vetë pashai kishte lënë një të thënme të fuqishme në bisedë me njerëz të tij, që e dëshmon kënga në fund, kur pyesin se “të kujtë ishin ata topa që po gjëmonin” e ku pashai u thotë atyre se “nuk ishin topat e vezirit, -por ishte pushka e Hajredinit, -që sot ia dha hakun jetimit”!
Sidoqoftë, Hajredini mbet burrë shembull nga një shtëpi e fuqishme shqiptare e traditës për sjellje të madhe njerëzore por edhe për qëndrueshmëri kur e lypë nevoja. Kënga kjo përfund edhe mbeti mësim dhe u bë këngë që të këndohej nëpër oda.
Kënga kështu, në dukje të parë e thjeshtë, me një qifteli me një tel e me një ndihmëstel, në dedur e me përcjellje kosovarçe, del shumë e fuqishme dhe me mësim për të gjithë brezet.
Këngën gjeta në youtube ta këndojnë rapsodët Qazim Berisha e Ibrahim Krasniqi me mjaft sukses, dramaticitet e kondicion përkushtimi prej profesionistësh. /2LONLINE/
