Këndellet Drita, mposhtë kampionin
(2L ONLINE) – KF Drita ka filluar të shndritë Gjilanasit e kanë mposhtur kampionin në fuqi Llamkos Kosovën minimalisht, por ka mjaftuar për tre pikëshin e tretë këtë edicion. Goli i triumfin mbanë ‘’firmën’’ e sulmuesit Almedin Murati që ka realizuar një supergol në pjesën e dytë.
Këndellet Drita. Një fitore tjetër ndaj Llamkos Kosovës i ka dhënë një tjetër shtytje skuadrës gjilanase që të luftojë për të mbrojtur statusin e skuadrës elitare. Ka mjaftuar një gol i sulmuesit Almedin Murati në pjesën e dytë që skuadra bardh e kaltër të merr një fitore të madhe.
Skuadra që tani po udhëhiqet nga trajneri Afrim Shahini ka shfaqur një lojë briliante ndërkohë përtej saj është rritur edhe motivi për të luftuar edhe më shumë gjatë vazhdimit të kampionatit.
‘’Skuadra tani do të jetë më pak e ngarkuar psiqikisht, ndërkohë që do të jetë më e motivuar. Na është dashur një fitore e tillë për t’u rikthyer vetëbesimi dhe motivi për ndeshjet e ardhshme. Lojtarët e mi u angazhuan mjaft shumë në këtë përballje dhe në fund edhe e fituan ndeshjen me plotë meritë’’, ishin fjalët e teknikut gjilanas që pas ndeshjes i tha për ‘’2L ONLINE’’
Tahiri blindon portën
Futbollistët e Dritës kishin nevojë të madhe për një fitore që do ti ngriste ata si për nga morali ashtu edhe për nga pozita e vështirë në të cilin gjendeshin. Prandaj që nga fillimi i ndeshjes, bardh e kaltërit e morën seriozisht ndeshjen, ndërkohë që në 45 minutëshin e parë varguan rastet një nga një.
Ka qenë sulmuesit Almedin Murati ai i cili i pari ka rrezikuar portën vushtrriase në minutën e 24-të, mirëpo goditja e tij është ndalur nga traversa ndërkohë që topin e kthyer e ka zotëruar me lehtësi Tahiri.
Disa minuta më vonë, Murati ka provuar sërish të vë në vështirësi Tahirin, por gardiani vushtrrias është treguar syçel duke pritur gjuajtjen e sulmuesit.
Drita ka mundur fare të marrë me vete rezultatin në dhomat e zhveshjes sikurse Blendim Gashi të shfrytëzonte pasimin e mirë të Genc Sermaxhajt duke gjuajtur drejt e në duart e Tahirit dhe kështu rezultati mbeti i pandryshuar në pjesën e parë.
Murati zhbllokon shifrat
Me të filluar pjesa e dytë vendasit hidhen në aksion. Nuk vonon shpejtë dhe gjejnë golin e aq shumëkërkuar. Një goditje preçize e Muratit ka ‘’shpuar’’ portën e Petrit Tahirit duke e çuar në rrjetë topin për epërsinë e vendasve, 1:0.
Edhe pas shënimit të golit janë sërish vendasit ata që vargojnë rastet më të mira. Një të tillë e pati Alban Rexhepi në minutën e 75-të, por gjuajtja e alo mesfushorit nuk ishte e mirë ashtu si depërtimi i cili përfundon në duart e Tahirit. Mysafirët që nuk kishin rrezikuar as edhe njëherë të vetme portën nikoqire u munduan dhjetë minuta para fundit të ndryshojnë diçka, por as lëshimi i Huruglicës nuk i ndihmoi të barazonin shifrat pasi para Shalës brenda zonës ka intervenuar mbrojtja vendase që ka evituar më të keçen. Përfundon kështu ndeshja e cila i takoi Dritës që falë këtij triumfi ngritet në kuotën e 12 pikëve dhe javën e ardhshme udhëton në Gjakovë për tu përballuar me Vëllaznimin. Llamkos Kosova që mbetet në kuotën e 17 pikëve, vikendin e radhës e pret skuadrën e Hajvalisë.
Pas ndeshjes trajneri i Llamkos Kosovës, Ismet Munishi për portalin ‘’2l Online’’ u shpreh:
‘’Në pjesën e parë kemi luajtur shumë dobët. Jemi munduar të rikthehemi në atë të dytën, mirëpo ne nuk e merituam fitoren, ndërkohë që kundërshtari e deshi atë dhe e fitoi me plotë meritë’’.
Drita – Llamkos Kosova 1:0
Stadiumi i Qytetit në Gjilan
Shikues: 500
Gjyqtarë: M. Baliu, D. Preniqi, R. Hyseni, T. Maloku
KV: Tusuni, Rexhepi, Kastrati – Osmani, Hasani
Shënues: Murati 55’
Lojtar i ndeshjes: Almedin Murati
Drita: Huruglica, Baxhuku, Haliti, Syla, Tusuni, Berisha, Limani, Rexhepi, Gashi (Kelmendi), Sermaxhaj (Hajdari), Murati (Kastrati).
Llamkos Kosova: Tahiri, Gërxhaliu, Ahmeti (Osmani), Dragusha, Izmaku, Veseli (Zabërgja), Prekazi, Ramadani (Hasani), Shabani, Shala, Osmani.
/2L ONLINE/ Drilon SYLEJMANI/
