(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, së bashku me kryesuesen e Kuvendit Vaentina Bunjaku – Rexhepi, nënkryetarin Rexhep Kadriu dhe drejtorët e drejtorive, ka pritur në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Naftarëve të Kosovës dhe përfaqësuesit e bizneseve në nivelin lokal për të diskutuar së bashku mundësinë e bashkëpunimit mes Komunës dhe këtij Komuniteti, në mënyrë që ata të kenë një stabilitet ekonomik dhe financiar.
Me këtë rast kryetari Haziri me rastin e pritjes së përfaqësuesve të shoqatës dhe 36 përfaqësuesve që merren me këtë biznes, ka thënë se kërkesat e tyre janë të arsyeshme dhe brenda mundësive të Komunës ne do t’i ndërmarrim të gjithë hapat e mundur për t’ua lehtësuar punën e tyre.
“Jam i lumtur që sot kam pritur në takim drejtuesit e Shoqatës së Naftarëve të Kosovës dhe përfaqësuesit nga niveli lokal, me të cilët kemi biseduar për mundësinë e bashkëpunimit në kuadër të lehtësimit sa më të madh të ambientit për biznes. Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me ndërhyrjet e Komunës që kanë të bëjnë me disa nga çështjet si legalizimet, qasja në rrugë, vlera e tatimit të pronës, për të cilat unë kam marrë përsipër që në proces me i zgjidh këto probleme. Përherë e kam thënë se nuk ka Komunë të pasur duke i varfëruar bizneset dhe familjet. Do të bëjmë gjithçka që bizneset dhe familjet me qenë të qëndrueshme, e mandej Komuna mund të grumbullon taksa dhe tatime”, ka thënë kryetari Haziri
Ai ka shtuar se pjesa tjetër e pakos së kërkesave, ka të bëjë me legjislacionin, ku sot i kam premtuar shoqatës se do të jem zë i tyre si anëtar i barabartë për të ndikuar në ndryshimet e legjislacionit dhe punëve që duhet të ndërmerren edhe nga ana e qeverisë nesër.
Ndërsa në emër të Shoqatës së Naftarëve të Kosovës ka folur kryetari Fadil Berjani, i cili tha se është kënaqësi që kryetari i Komunës, në ditë pushimi (Dita e Kushtetutës) takon komunitetin e biznesit për t’i zgjidhur problemet dhe brengat e tyre.
“Është kënaqësi e madhe dhe privilegj i yni që kemi një kryetar që edhe në ditë pushimi takon komunitetin e biznesit. Ne patëm rastin që kryetarit t’i shprehim disa brenga të komunitetit tonë në nivelin lokal dhe atë qendror, porse problemi më i madh për momentin është kyçja në rrugë, ku është një taks shumë e lartë, por ne morëm një mbështetje të madhe që brenda Kuvendit këto t’i rregulloj kryetari dhe po ashtu edhe në nivelin qendror tash e tutje do të kemi një mbështetje dhe një zë të fuqishëm të mbështetjes përmes kryetarit Haziri”, ka thënë ndër të tjerash Berjani./2lonline/