Kemi lajthitur!

Kemi lajthitur!

Pasi veç kemi lajthitur totalisht dhe në vend që të merremi më seriozisht me Covid-19, që po bënë kërdi në Itali, Spanjë, Iran, Francë e në tërë botën, e po merremi me çështjen e dialogut dhe me luftën për primat politik në këtë skenën e çoroditur të politikës kosovare, atëherë do të rrezikoj e të provoj t’ia qëlloj se rreth çkahit po thyhen shtizat e akterëve politik në Republikën e Kosovës.

Shkruan: Arsim KASTRATI

Dy janë fushëbetejat kryesore në të cilat përdridhen dhe ndeshen politikanët kosovarë:

1. Çështja e dialogut me Serbinë, e cila e ndanë skenën politike kosovare në ata që insistojnë që Kosova ta dëgjoj administratën e presidentit Trump, ta heq tarifën menjëherë dhe pa kushtëzime, dhe ti vazhdoj bisedimet me Serbinë nën ndërmjetësimin e kësaj administrate e cila në thirrjet e saj për këto bisedime premton se të njëjtat do të përfundojnë me njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa pjesa tjetër e spektrit politik insiston që të mos plotësohet kërkesa e administratës Trump për heqjen e tarifës ndaj Bosnjës dhe Serbisë, duke u munduar kësisoji që të shmangen bisedimet në të cilat po thërret kjo administratë.

Të parët thonë që ky shans nuk është i keq dhe ndoshta nuk do të përsëritet më, ndërsa të dytët mbase i frikësohen administratës atipike trumpiane, si e quajnë shumë, dhe preferojnë që Kosova të pres një kohë më të përshtatshme për këtë qështje.

2. Mosmarrëveshjet tjera të politikanëve kosovar kanë të bëjnë me sëmundjen e kamotshëm shqiptare të bajraktarizmit politik. Kur është në pyetje ky marifet i mirënjohur ndër ne, politikanët e sojit tonë nuk hezitojnë që të relativizojnë dhe sakrifikojnë çdo çështje tjetër dhe fokusin kryesor të veprimtarisë së tyre e vendosin tek sigurimi i dominimit vetanak. Të gjithë dëshirojnë të jenë Skendërbegë e të gjithë të tjerët i etiketojnë si tradhtarë e mercenarë! Asgjë tjetër s’duan pos që ata vetë të jenë të parë!

Përfundim: Disa thonë mos luani me Amerikë, të tjerët Trumpi nuk është Amerika, disa thonë një herë vjen vera kah dera, të tjerët mos të ngutemi asaj dere, njëri thotë se ka dhënë prova në histori ndërsa tjetri se historia filluaka me të e shokët e tij, disa thonë ne do t’ia u heqim hajnat nga qafa, ndërsa të tjerët thonë mos u besoni axhamive!

Për një gjë i bindur jam, mos me qenë KFOR-i ksajde, këta politikanë të Kosovës do të fillonin pa vonesa të mëdha, një luftë ‘të mirë’ qytetare, mbasi as Serbia e as Corona virusi nuk i ndalkan dot kacafytjet e tyre tragjikomike!

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE