Serbia po vazhdon me arrestime të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë. Aktakuzat janë të paqëndrueshme dhe falso. Këtë e dëshmon edhe rasti i fundit i bashkatdhetarit tonë nga komuna e Gjilanit me vendbanim në Gjermani, Ibrahim Matoshit. Ai akuzohet për kinse vrasje të qytetarëve serb gjatë luftës në Kosovë.
Kështu shprehet Gëzim Kelmendi, drejtues i Partisë Fjala, sipas të cilit, Ibrahim Matoshi është tërësisht i pastërt në këtë aktakuzë të shpifur. Matoshi për 20 vite rradhazi ka udhëtuar nga Kosova në Gjermani dhe anasjelltas duke kaluar nëpër Serbi. Tash pas 20 viteve Serbia e arreston.
“Arrestimi i bashkatdhetarëve tanë është përgjegjësi edhe e institucioneve të Kosovës. Presidenca, qeveria dhe kuvendi heshtin. Pozita dhe opozita bëjnë gara mes veti se kush duhet të udhëheq dialogun me Serbinë. Liderët e PAN-it në dhe AKR-së në deti, LDK heshtë, ndërsa VV-ja sulmon policinë e Kosovës duke lënduar rreth 10 policë në aksionin e tyre të sotëm kundër dhunës së grave”, thotë Kelmendi.
Sipas tij, kjo heshtje dhe mosveprim i institucioneve të Kosovës tregon se qytetarët e Kosovës janë vetëm burim i votës për të ardhur në pushtet.