Kelmendi: Provokimi që s’ka guxuar të ndodhë
Migjen Kelmendi ka thënë se nisma e kryetarit të Ranillugut për ta emëruar një rrugë me emrin e Slobodan Millosheviqit, është një provokim që nuk guxon assesi të ndodhë.
Drejtori ekzekutiv i “TV Rrokum”, këto komente i bëri në emisionin politiko-satirik “Rrokum Roll”. “Ky është një absurd se si institucionet kanë lejuar të kalojë një emër i një krimineli siç ishte Millosheviq”, është shprehur Kelmendi.
Ai ka theksuar se ky është një provokim i madh që prek të gjithë fundamentin e kësaj shoqërie.
Kelmendi ka rikujtuar se çka ka bërë krimineli serb në Kosovë, duke theksuar se propozimi serb për rrugë nuk guxon të kalojë.
Sipas tij, institucionet nuk duhet ta lejojnë të kalojë assesi, duke shtuar se duhet ta marrin shumë seriozisht këtë çështje.
Kelmendi ka shtuar se ky është një dështim politik, një lëshim institucional dhe një debakël i madh politik i institucioneve të Kosovës, por edhe i Bashkësisë Ndërkombëtare.
Sa i përket kryetarit të Ranillugut, Gradimir Mikic, Kelmendi ka theksuar se ai nuk di se çka është paqja, edhe pse e paska emrin “Gradimir”, që i bie “ndërtues i paqes”.
