/2L ONLINE/ – Kryesia e Klubit të basketbollit, Drita, nga Gjilani, ka bërë të ditur se klubi mund të mbetet edhe sivjet jashtë garave nëse Komuna e Gjilanit, përkatësisht Njësia për Kulturë, Rini e Sport, nuk i deponon parat e premtuara në konton e këtij klubi, sepse skuadra nuk ka mjete financiare për t’i kryer obligimet që i ka ndaj Federatës së Basketbollit të Kosovës, ndërsa afati për këtë është 7 shtatori.
Drejtori i skuadrës së Dritës, Fazli Fazliu ka kërkuar që sa më shpejt paratë e premtuara t’i jepen klubit në të kundërtën, klubi mund të mbetet edhe sivjet pa gara, përkundër që ajo tani më i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e garave.
Kryesia e klubit shprehet e indinjuar për faktin se ky klub kishte bërë shpeshherë kërkesa për ndihmë në Drejtorinë përkatëse, por e cila nuk ka shprehur interesim dhe i ka injoruar, duke mos i përmbushur kërkesat e këtij klubi. KB Dritës, nuk iu janë dhënë ende mjetet e ndara nga buxheti i Komunës.
Kryesia e KB Drita apelon edhe kësaj here që Njësia për Kulturë Rini e Sport, të i deponojë sa më parë paratë tek KB Drita, sepse afati i fundit që ky klub duhet t’i kryej obligimet ndaj FBK-së është 7 shtatori.
“Besojmë që nuk do mbetemi jashtë garave. Në të kundërtën ne do protestojmë për të drejtat që i takojnë Klubit. Ka 6 vite që mundohem ta bëjmë më të mirën për Qytetin, Klubi meriton më shumë e nuk ndihmohet”, thotë Fazliu.
Përndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit në një seancë të saj në fund të muajit maj të këtij viti kishte miratuar edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për subvencionimin e aktiviteteve të shoqatave dhe klubeve sportive. /2L ONLINE/