Popujt e Ballkanit që ishin akoma nën sundimin e Perandorisë Osmane shprehin gjithnjë e më shumë pakënaqësi ndaj pushtetit xhonturk, i cili po përpiqej të bënte “ndryshime” për përmirësimin e situatës së brendshme në perandori. Mirëpo, këto përpjekje nuk tregonin rezultate pozitive, por përkundrazi fuqizonin antagonizmat e popujve të Ballkanit, që reflektonin me përkeqësimin e raporteve ndërmjet tyre në njërën anë dhe xhonturqve në anën tjetër. Në kuadër të kësaj situate të përgjithshme, gjetën shprehje edhe zgjedhjet parlamentare të realizuara në pranverë të vitit 1912.
Shkruan: Fitim RIFATI
(2L ONLINE) – Pas shpërndarjes së parlamentit (janar 1912) në pranverë u organizuan zgjedhje të reja në gjithë perandorinë. Këto zgjedhje u organizuan edhe në vilajetet shqiptare, ku një fushatë e ashpër u treguat ndërmjet partisë “Bashkim e Përparim” kundër kandidatëve opozitarë shqiptarë. Ky proces zgjedhor përfshiu edhe kazanë e Gjilanit.
Meqenëse ligji për zgjedhjet vështirësonte në masë të madhe një proces të rregullt zgjedhor dhe pa probleme, skenari i tyre ishte tendencioz dhe i qartë për të siguruar me çdo kusht fitoren e partisë xhonturke. Për këtë çështje komisioni zgjedhor kishte shpërndarë listat nëpër të gjitha fshatrat e kazasë së Gjilanit, të cilat ishin shkruar në gjuhën osmane dhe nuk kuptoheshin nga shumica e popullsisë shqiptare. Prandaj, me qëllim që të fitonte sa më shumë kandidatë në parlament, pushteti xhonturk përdorte forma të ndryshme për të përçarë e mbjellur grindje midis opozitës shqiptare, gjë të cilën e kishte arritur edhe në Gjilan. Për këtë çështje në kazanë e Gjilanit, Preshevës e Prishtinës kishte shkuar edhe valiu i Kosovës Maz`har Beu. Ai kishte për qëllim të ndikonte në zgjedhësit që të votojnë për kandidatët e partisë xhonturke “Bashkim e Përparim”, mirëpo kundërshtimi për këtë parti, nga ana e shqiptarëve, ishte aq i madh, saqë Maz`har Beu i kishte shtyrë zgjedhjet të mbaheshin më 5 maj për t`i dhënë kohë zgjedhësve të mendojnë dhe binden për të votuar kandidatët e partisë xhonturke. Jo vetëm kaq, siç njofton konsulli francez P. Karlie më 26 prill 1912, valiu po vizitonte gati të gjitha fshatrat e këtyre anëve dhe për të arritur këtë qëllim e shtuar frikën ndaj shqiptarëve, kishte marrë me vete shumë oficerë dhe nga dy kompani ushtarësh. Në këtë kohë ishin shtuar edhe lëvizjet ushtarake të forcave osmane në qytetet e Vilajetit të Kosovës dhe do të qëndronin nëpër vendvotime deri në përfundim të zgjedhjeve.
Kandidatë për deputet në parlamentin osman nga sanxhaku i Prishtinës, në të cilin sanxhak bënte pjesë edhe kazaja (rrethi) i Gjilanit, pjesëtarë të opozitës shqiptare ishin ish-deputetët: Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Ali Danish Beu dhe Beqir Efendia. Ndërsa kandidatë qeveritarë, që nuk gëzonin atë popullaritet sikur ata të opozitës, ishin: Sudi efendia, kryetar i bashkisë së Prishtinës, Ymer efendia, i lindur në Stamboll dhe kushëri i Fuad Pashës, Hafuz Ymeri, hoxha nga Vushtrria dhe Dr. Dushan Çeliq nga minoriteti serb. Shqiptarët ishin të interesuar që të zgjedhnin përfaqësuesit e tyre të denjë dhe për këtë çështje luftonin çdo padrejtësi që pushteti orvatej të realizonte në favor të kandidatëve të tij.
Kështu, ngjarje të rëndësishme, lidhur me këtë çështje, ishin zhvilluar në Gjilan dhe rrethinën e tij. Raste si ai i fshatit Pogragjë, ku shqiptarët e dëbuan komisionin zgjedhor e në fshatin Shipashnicë, kur situata u tensionua dhe sa nuk shpërtheu një konflikt i armatosur ndërmjet burrave e grave shqiptare të atyshme, komisionit e ushtrisë, që edhe nga këtu u detyrua të dëbohej për në Gjilan, tregojnë për një proces jo të rregullt zgjedhor dhe me disa incidente jo të parëndësishme. Të përfshirë në ngjarjen e Shipashnicës ishin Sali aga nga Gjilani dhe Hamdi Novobërda, të cilët kishin shkuar atje për t`i bërë propagandë kandidatëve të opozitës. Ata, ndonëse u thirrën në konak nga valiu, nuk iu përgjigjën thirrjes së tij, por dolën në mal si opozitë e hapur dhe morën masat për organizimin e kryengritjes në këtë kaza. Autoritetet osmane kishin vendosur të kundërvepronin lidhur me këto ngjarje të fundit. Kështu, për në Gjilan ishte nisur “një tabor ushtrie nga Ferizaj dhe 50-60 ushtarë të kavalerisë” së Prishtinës dhe po organizoheshin roje ushtarake në të dy hyrjet e qytetit.
Në ndërkohë, raste të tilla ishin shënuar edhe në fshatin Birivojcë, ku zgjedhjet ishin realizuar më 27 prill, ndërsa në fshatin Lubishtë kishte ndërhyrë ushtria për të qetësuar situatën pas një konflikti të popullsisë me pjesëtarët e komisionit zgjedhor, që si rezultat ishin plagosur dy shqiptarë të këtij fshati, ndërsa një ushtar ishte vrarë. Me këtë rast, Salih Aga i Lubishtës, një njeri me ndikim në këtë fshat, kishte ikur në mal së bashku me 10 shoqërues dhe kishte formuar një çetë kryengritëse.
Për të arritur fitoren e xhonturqve, përveç kajmekamëve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë, valiu kishte thirrur edhe kajmekamin e Gjilanit për t`u dhënë udhëzimet e nevojshme për zgjedhje. Nga 34.488 votues me të drejtë vote, në Gjilan partia xhonturke “Bashkim e Përparim” kishte epërsi votash krahas kandidatëve të opozitës. Në votimet e realizuara më 30 prill ishin angazhuar përfaqësuesit e pushtetit nga sanxhaku i Prishtinës dhe kazaja e Gjilanit. Ndërsa Idriz Seferi, ditën e zgjedhjeve kishte shkuar në klubin xhonturk, e kishte sulmuar regjimin e qeverisë dhe, duke treguar dy patllaket në brez, kishte thënë se nuk do të lejonte që në Gjilan të sillen andej e këndej xhonturqit. Përveç kësaj, nuk munguan raste kur u soll edhe një shkronjës i veçantë për të plotësuar fletëvotimet, duke provuar kështu mosrespektimin e një procesi normal zgjedhor. Shkelje të tilla kishin ngjallur protesta në mesin e shqiptarëve.
Përfundimisht, përmes përdorimit të një aparati të dhunshëm policor, përmes kërcënimeve dhe shantazheve, korrupsionit, burgosjes së përkrahësve të opozitës dhe aq më tepër duke përdorur edhe forcën e armëve, partia xhonturke “Bashkim e Përparim” arriti të sigurojë shumicën e ulëseve në parlamentin osman. Si rezultat i metodave të tilla arbitrare dhe abuzive, kryengritja kundër administratës dhe pushtetit osman në viset shqiptare ishte e pashmangshme./2L ONLINE/