Katër poezi nga Anton Nikë Berisha
Anton Nikë Berisha: KATËR POEZI
( Për t’i paraprirë shënimit të 80 vjetorit të lindjes së këtij studiuesi, romansieri, poeti, përzgjedhësi e përkthyesi të shquar të letërsisë sonë)
PËRNDRITJE E AMSHUAR
(Homerit – poetit të përndritjes së amshuar)
“Kur e lexoj Homerin e shoh veten se mos jam zgjatur edhe njëzet këmbë mbi tokë”.
Mikelanxhello
Homer, poet i përndritjes së amshuar,
të shoh të gjallë si dje, si sot, si nesër
se vargu yt u përflak me dritën e qiellit,
vijimisht u përshkua nga shkëlqimi i yjeve –
zbulim i fshehtësisë dhe i madhështisë së fjalës.
Të quajtën yll të fjalës, yll i tillë mbete,
Orfe në ngritje që asnjëherë nuk mplakët
se ti vrojtove me sytë e mendjes së tejndritur
çdo fjalë e jote lindi nga ngrohtësi e bukurisë,
jetë i dhe shumësisë së mendimeve urtake,
që fisnikërohen e rriten tek secili që i lexon.
Fjalën e qëndise me magjinë e të shprehurit,
e lartësove pa reshtur me frymësi të shpirtit
siç lartëson gjakimi i dashurisë së parë;
të bukurën e mbëltove të lundrojë nëpër kohë
si vrushkuj rrezesh që s’kanë të sosur –
butësi vese në lindje të agimeve.
Mendimet e tua i pushtuan mendjet kudo;
para vargut tënd u gjunjëzuan mbretër,
sundimtarë,
diktatorë mashtrues, hije të përbindshme:
tiberë, kaligulë, neronë e të ngjashëm
se vargu yt shprehu të vërtetën artistike
atë që është e thellë, e urtë, e vlefshme
që shtrihet pafundësisht në kohë –
kurorëzim dafinash të përjetshme.
Fjala jote e zbuti dhe lotin në qerpikun e pikëlluar
synoi ta zhbëjë të ligën, mashtrimin, prapësinë,
të mishëruar përjetësisht në indet e njeriut.
Vargu yt – rrezatim në fërk të agsholit
që i njëson natyrshëm kohët e shkuara
dhe nis fluturimin e epërm në të ardhmen –
qetësim ulërimash, klithjesh, psherëtimash
hirshëm të bjerë mbi dashurinë dhe vuajtjet.
Ti për vargun mbete “Jehovah Schmmah” .
UDHËTIMI I SHPIRTËZUAR
(Odiseut – shtegtarit të përjetshëm)
Odise, ti i dhe jetë udhëtimit,
me etje të zjarrtë, me durim të shkëmbtë;
i blatove frymën e shpirtit tënd të hirshëm
për dy dashuritë e tua të mëdha:
Itakën e lashtë e Penelopën e re,
që të grishen me dalldisje shtrëngate
e mendjen dhe zemrën ta zhuritën flakërueshëm.
Edhe tani të shoh në shtegtim
me rroba të zverdhura si gjethet në vjeshtë,
të mbuluara me pluhur të lodhur
e të trazuar me psherëtima lëbyrëse
si Gilameshi, mbret i Urukut,
në kërkim të pavdekësisë.
Mejtimet e përflakura të çuan përpara,
ndërsa peshën e rrugëve e ndryve përbrenda,
pafundësisht të palosur ndër mote.
Përshkove Purgatorin lashtësor,
nëpër Ferr frymove dufin e vdekjes,
flakët përcëlluese t’u kacavaren si vrunduj vdekje;
pëshpërite me lakuriqë shkrumbuar flatrash
dhe zogj nate që ngatërroheshin nëpër valë terri
që ngjanin në lugetër të përgjumur
e kjasonin frikë në mendime, në bebëza.
Po ty qëllimi të çoi përpara, si vala – valën
(që i jep jetë tundjes, e shpirtëzon detin)
të kthesh në ngrohtësinë e folesë ku linde:
në Itakën e dashur, prehje e shenjtë e shpirtit,
për t’u ngjallur në përqafimin dritësor
të Penelopës sate të bukur e besnike.
DRITËSIM HYJNOR
(Gjon Bdek Buzukut, autorit të veprës së parë të botuar në gjuhën tonë shqipe)
“Atë çfarë errësira ia rrëmbeu madhështisë së tij,
ia shtoi e panjohura” .
Vickor Hygo (për Eskilin)
Hyji ta dritësoi mendjen
dhe në shpirt ta ngjizi hirin dhe dashurinë.
e Ti – shërbëtor i përvuajtur i Tij –
atë dashuri e përhape tek njerëzit
nga se Hyji është dashuri dhe kush mbetet në dashuri,
mbetet në Hyjin – qenësi synimi jete.
Hyji të dhuroi dhe shkëlqimin e fjalëve
dhe hartove “Mesharin”, përshpirtëri e thellë,
një qiri i pashuar për botën arbërore,
që nuk pati të ndalur, as të shuar;
me të i dhe jetë fjalës së shkruar shqipe
përmes së cilës mbëltove në zemra
dashurinë për Hyjin që e nxit dashurinë për tjetrin,
po dhe nevojën për dije dhe për urti;
veprove sipas asaj që pati thënë Bekoni:
dituria e mirëfilltë të shpie tek Zoti,
ndërsa ajo e mangët të largon prej Tij.
Veprën e botuar e shndërrove në lutje
që hiri i Hyjit ta ketë në kujdes –
“Gjithë popullinë e kërshtenë ņdë Arbanīt”,
dritësim hyjnor i gjuhës në Atdhe.
Përmes fjalëve të vëna në letër
ngadhënjeve mbi harresën;
dhe u hape shteg kohëve që erdhën:
“desha me ụ fëdigu¬në, për sā mujta me ditunë,
me zdritunë pak mendetë e atyne qi të ņdiglonjinë,
përse ata të mundë mernë sā i naltë
e i mujtunë e i përmishëriershim anshtë
Zotynë atyne qi ta duonë m gjithë zemër ”.
Gjithçka të jetës sate ia blatove Hyjit,
në Të i vure synimet, ëndrrat, vuajtjet,
prandaj Vepra jote u bë frymësi jete
që i pushtoi ngrohtësisht mendjet e njerëzve –
njëmendësim i shkrimit të gjuhës sonë –
nga se të veprosh përmes shkrimit domethënë
të mendosh në mënyrë të shumëfishtë –
sinorin e qytetërimit ta vësh.
Me “Mesharin” u bëre farkëtar dhe i fjalës hyjnore
“për gjithë njerëzit të mī ņ gjakut sim,
e për miq të mī e pr anëmiqt të mī ”.
Me Psalmet e tua, të kënduara arbërisht – shqip,
dëshmove përshpirtërinë dhe urtinë;
fjala jote e ngjizur me dashuri
përshkuar nga ndriçimi i hirit të Hyjit
e shmangu mëkatin dhe e prapësoi ligësinë.
Për vete nuk përmende asnjë fjalë,
as ku e shkrove dhe e botove librin,
thuajse ato lidheshin me lutjen e gjarprit
që fshehtësinë i dyti nuk duhet ta dijë?
Ndoshta për t’iu shmangur nguljes në hu
që pushtuesi otoman rëndom e përdorte
për barinjtë shpirtërorë kudo në Arbëri.
“Meshari” – mbet krahëtim drite i emrit tënd
dhe i yni.
SHIKUAT ME SYTË E ËNDËRRIMIT
(Shkrimtarëve të verbër)
“Bota e të verbrit nuk është nata që hamendësohet”.
Jorge Luis Borges
Ju nuk u mundet nga verbëria
se shikuat me sytë e mendjes;
përmes pasqyrës magjike të shpirtit
i zhvendoset dhe yjet përtej hapësirës
ku s’mbërrin asnjë pëshpëritje, as tingëllimë.
Shikuat me sytë e mendimit
ngazëllim ndjesish që s’kanë të sosur,
ndërsa gjurmuat drejt të panjohurës
duke i zgjuar fjalët shtegtare,
përtej moteve, përtej dëgjimit –
reshje shiu që s’di të ndalur
si loti që kjason me ngulm qepallave
pleksur me peshën e psherëtimave.
Në veten tuaj gjurmuat më thellë se në çdo gjë tjetër;
me shprehje lashtësore u njësuat
me lumenj të pagjumësisë –
pergamenë e ëndrrave të harruara nëpër vite
e bashka resh të shaluara nga stuhitë,
ku lodrojnë pafundësisë së qiellit, fushë betejave –
shumësi zërash që e grishin butësinë e vdekjes,
ndërsa shikuat etshëm me amësinë e dashurisë
dhe ngjizjen e dritësimit të epërm,
që ju bashkoi me vallëzimin hyjnor –
e shikuat tjetrin brenda jush
e veten tuaj brenda të tjerëve
për t’i ndarë me ta
lifqeret e padukshëm të dhembjes.
Ju grishët me zjarrin e fshehtësisë,
me përdëllim që shtegtoi nëpër kujtesë,
ndërsa flakësimi vorbulloi nëpër sytë tuaj
për të mbajtur gjallë zjarrin, frymësinë
botën tuaj të pasur – thesar trashëgimie –
siç bënë Tamirisi, Homeri, Miltoni
të cilët e përjetësuan pafundësinë e shprehjes së lirë:
parajsën e fjalëve dhe bukurinë e thënies
me atë që është
“[…] e lehtë, flatrore dhe e shenjtë”,
siç tha për poezinë Platoni i zulmadh,
nga se shikuat me sytë e mendjes.
