Katër nxënëse të Shkollës së Muzikës në Gjilan kualifikohen për Gala Finalen e International Piano Balkan Competition – Vienna 2026
16 pianistë të rinj nga Kosova, në mesin e tyre edhe nga Gjilani, do të ngjiten në skenën e Mozarthaus në Vjenë, më 20 nëntor 2026, në kuadër të Gala Finales së International Piano Balkan Competition – Vienna 2026, ku do të marrin pjesë performues nga 28 shtete.
Një sukses i veçantë për Shkollën e Muzikës në Gjilan është kualifikimi i katër nxënëseve të saj për këtë Gala Finale: – Puhiza Sadiki dhe Eni Ademi – klasa e prof. Dafina Bajrami, Nina Kqiku – klasa e prof. Hajrije V. Bislimi, dhe Dea Berisha – klasa e prof. Premtim Selimi.
“Koncerti do të mbahet në Mozarthaus Vienna, në shtëpinë historike ku kompozitori Wolfgang Amadeus Mozart jetoi dhe krijoi disa nga veprat e tij më të rëndësishme”, thuhet tutje në njoftimin e shkollës së Muzikës.
Sipas International Piano Balkan Academy, kjo pjesëmarrje shënon një moment të rëndësishëm për akademinë dhe Kosovën, pasi për herë të parë një numër kaq i madh pianistësh nga kjo akademi do ta përfaqësojnë vendin në këtë hapësirë historike të muzikës klasike.
“Shkolla e Muzikës në Gjilan shpreh krenarinë për këtë arritje të nxënëseve dhe përgëzon ato dhe profesorët e tyre për punën, përkushtimin dhe suksesin e arritur. Urojmë që kjo Gala Finale të jetë një përvojë e paharrueshme dhe një tjetër kapitull suksesi për talentet tona të reja! Suksese në Vjenë”, thuhet në fund të njoftimit. /2LONLINE/
