Kreu i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka reaguar pas propozimit për aktakuzë nga Gjykata Speciale për presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, duke thënë se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte përgjigja e domosdoshme ndaj pushtimit. Lufta dhe sakrifica për liri është përpjekja më sublime që mund ta bëj njeriu.
Ja postimi i plotë:
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte përgjigja e domosdoshme ndaj pushtimit. Lufta dhe sakrifica për liri është përpjekja më sublime që mund ta bëj njeriu.
UÇK-ja është emri që bashkon historinë dhe përpjekjen kolektive dhe si e tillë ajo duhet mbrojtur me çdo kusht.
Secilit që bën llogari ditore në dëm të UÇK-së, veç vula e zezë do t’i mbetet. Aktakuzat që u lajmëruan sot nga Gjykata Speciale vetëm kështu i shoh.
Kurse Gjykata Speciale vazhdon të mbetet një trup i papranueshëm brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.
Ajo është një gjykatë e huaj realisht, kurse e Kosovës formalisht.
Përderisa krimet e luftës i gjykon mbi baza etnike, kjo Gjykatë është ngritur kundër UÇK-së.
Veç kësaj, ajo e ndan në dysh sistemin gjyqësor të Kosovës që do të duhej të ishte unik.