Kastrati: Pagesa e tatimit në pronë kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e projekteve dhe shërbimeve komunale
Drejtoria për Buxhet dhe Financa e komunës së Gjilanit, kërkon nga qytetarët që të kryejnë obligimet e tyre me kohë të pagesës së tatimit në pronë, në mënyrë që të shmangen kostot shtesë, interesat, gjobat dhe procedurat përmbarimore.
Drejtori i kësaj drejtorie, Avdyl Kastrati, falënderon të gjithë qytetarët të cilët me përgjegjësi janë duke i përmbushur obligimet e tyre ndaj Tatimit në Pronë, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e projekteve dhe shërbimeve komunale.
Ai bënë të ditur se me qëllim të lehtësimit të procedurave dhe duke pasur parasysh vonesën në lëshimin e faturave për vitin 2026 nga Departamenti i Tatimit në Pronë, Komuna e Gjilanit njofton edhe një herë tatimpaguesit që janë të regjistruar në sistemin e tatimit në pronë me numër personal të Republikës së Kosovës, se mund të nxjerrin faturën e tatimit në pronë drejtpërdrejt në platformën e-KOSOVA, apo duke u paraqitur personalisht në komunën ku janë pronarë/e ose posedues/e të pronës së paluajtshme (sportel apo zyra në kët ëdrejtori.
“Gjithashtu rikujtojmë të gjithë tatimpaguesit që nuk e kanë bërë pagesën e tatimit në pronë, që pagesën ta bëjnë me kohë, në mënyrë që të shmangin llogaritjen e interesit dhe gjobës”, tha drejtori Avdyl Kastrati.
Ai theksoi tutje se pagesa e Tatimit në Pronë për personat fizik rezidentë (që kanë numër personal të Republikës së Kosovës), mund të bëhet në dy këste të barabarta. Kësti i parë deri më 30 Qershor 2026 dhe kësti i dytë deri më 30 Shtator 2026.
Për personat fizik jo-rezidentë (pa numër personal të Republikës së Kosovës ose me numër personal të një shteti tjetër), tatimi në pronë mund të paguhet në një këst të vetëm, më së largu deri më 30 Shtator 2026.
Sipas tij nëse pagesa nuk kryhet sipas afateve të lartcekura, pason llogaritja e gjobës dhe interesit.
Po ashtu, duke marrë parasysh rritjen e vazhdueshme të borxheve të papaguara ndër vite, Komuna e Gjilanit do të ndërmarrë masa konkrete ndaj tatimpaguesve me obligime të papaguara, veçanërisht ndaj atyre që kanë borxh mbi shumën 300.00 €.
“Lusim qytetarët që të kryejnë obligimet e tyre me kohë, në mënyrë që të shmangen kostot shtesë, interesat, gjobat dhe procedurat përmbarimore”, tha drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati. /2LONLINE/
