Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me u.d drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Mirhane Morina-Bislimi kanë pritur në takim “Forumin Kosovar i Aftësisë së Kufizuar” dhe ekipin vlerësues të komunës, ku kanë diskutuar për nevojat e ekipit vlerësues për personat me aftësi të kufizuara.
“Si komunë e kemi prioritet arsimin dhe një qasje të barabartë për të gjithë e sidomos për personat me nevoja të veçanta. Duhet bërë më shumë që të vetëdijësohen prindërit për fëmijët e tyre dhe të mos ua kufizojnë qasjen në vlerësim. Ne jemi të gatshëm që edhe me psikologët që kemi angazhuar në shkolla të mundohemi që t’i bindim të gjithë se vlerësimi i personave me nevoja të veçanta ka shumë rëndësi”, ka thënë Kastrati.
Përfaqësuesja e “Forumit Kosovar i Aftësisë së Kufizuar”, Saranda Uka duke falënderuar kryetarin Kastrari për takimin ka shprehur disa nga brengat që kanë lidhur me personat me nevoja të veçanta.
“Pothuajse në të gjitha komunat ekipet vlerësuese përballen me vështirësi të shumta. Në komunën tuaj ju tani më e keni të aktivizuar ekipin vlerësues dhe duket se ka filluar punën mjaft mirë në vlerësimin e rasteve. Kërkojmë nga ju që ta ndihmoni këtë ekipë si me mjete të punës e po ashtu edhe në kompenzimin e orëve shtesë të cilët ata kanë, për vlerësimin e këtyre personave”, ka thënë ajo.
Kurse u.d drejtoresha e DKA-së, Mirhane Morina-Bislimi theksoi se si drejtori janë munduar që të mbështesin ekipin vlerësues të komunës në lidhje me këta persona, dhe se sipas saj së shpejti do të bëhen edhe me një zyre.
Në anën tjetër Flaka Maka nga ekipi vlerësues i komunës, theksoi se janë në diskutim me u.d drejtoreshën Morina-Bislimi në lidhje me mjetet që u duhen për punë.