Kastrati: Jam i lumtur që këtë vit kemi realizuar rreth 70 përqind të rekomandimeve nga Auditori i Jashtëm

Kastrati: Jam i lumtur që këtë vit kemi realizuar rreth 70 përqind të rekomandimeve nga Auditori i Jashtëm

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka marr pjesë në një takim të përbashkët lidhur me gjetjet e raportit të Auditorit të Jashtëm për Komunën e Kamenicës.

Në këtë takim kanë qenë të pranishëm, Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Albert Sermaxhaj, Udhëheqësi i Departamentit të Auditimit në Komuna, Astrit Ballaca, Drejtori i Zyrës së Auditimit të Brendshëm në komunë, Ismet Ahmeti dhe zyrtarë nga kjo zyre, asambleistë të Kuvendit Komunal, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

I pari i komunës, Qëndron Kastrati, gjatë këtij takimi ka përgëzuar Auditorin e Jashtëm për procesin e auditimit në Komunën e Kamenicës, duke treguar se janë të përkushtuar në përmbushjen e rekomandimeve të dhëna.

“Auditori i Jashtëm ka dhënë opinion të pamodifikuar për komunën tonë, gjë kjo e cila tregon se është punuar shumë për të përmbushur rekomandimet e dhëna nga viti i kaluar. Jam i lumtur që këtë vit kemi arritur t’i realizojmë rreth 70 përqind të rekomandimeve, duke falënderuar të gjithë për punën e bërë si dhe Zyrën e Auditimit në komunën tonë që ka një staf tejet të përgatitur. Edhe këtë vit do të angazhohemi që të gjitha sfidat që janë paraqitur t’i tejkalojmë, pavarsisht vështirësive”, ka thënë ai.

Ndryshe, Udhëheqësin e Departamentit të Auditimit në Komuna, Astrit Ballaca, tha se Komuna e Kamenicës ka realizuar rreth 71 përqind të rekomandimeve, që sipas tij është nivel i lartë krahasuar me komunat tjera.

“Në nivel të përgjithshëm, komunat kanë realizuar rreth 40 përqind të rekomandimeve, ndërsa Komuna e Kamenicës ka realizuar rreth 55 përqind të rekomandimeve. Por, nëse i largojmë rekomandimet e mbyllura, i bie që Komuna e Kamenicës ka realizuar rreth 71 përqind të rekomandimeve, që është nivel shumë i lartë i zbatimit të rekomandimeve, nëse e krahasojmë me nivelin komunal. Komuna e Kamenicës qëndron shumë mirë me zbatim të rekomandimeve krahasuar me komunat tjera. Falenderoj Kryetarin e Komunës së Kamenicës dhe stafin e tij për bashkëpunimin e ofruar gjatë procesit të auditimit”, ka thënë ai.

Kujtojmë që sipas raportit të Auditorit të Jashtëm, opinioni i auditimit për Komunën e Kamenicës, është opinion i pamodifikuar, që nënkupton se pasqyrat financiare paraqesin pamje të drejta, të vërteta në të gjitha aspektet materiale. /2LONLINE.com/

KOMENTE