Kastrati: FSK-ja është në rrugë të sigurt
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Kadri Kastrati, pak ditë para përfundimit të mandatit në këtë post, ka vlerësuar se kjo forcë është në rrugë të sigurt drejt transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës.
Kastrati, i cili të premten është dekoruar nga presidentja me “Urdhrin e Pavarësisë”, në këtë intervistë dhënë “Epokës së re” ka thënë se ka qenë krenari për të që për tre vjet ta udhëheqë FSK-në, e cila gëzon besueshmëri dhe respekt edhe nga NATO-ja.
Gjenerallejtënant Kadri Kastrati ka treguar se çdoherë FSK-në e ka konsideruar Forcë të Armatosur. “Gjithmonë e kam konsideruar dhe e konsideroj FSK-në Forcë të Armatosur, e cila do t’i përmbushë detyrat dhe misionet e veta në çdo drejtim që kërkohet nga institucionet e Kosovës dhe populli i saj”, ka thënë Kastrati. Ai ka thënë se FSK-në po e lë në gjendje të shkëlqyeshme dhe në duar të sigurta. “Forcën e Sigurisë së Kosovës po e lë në gjendje të shkëlqyeshme, e cila është e gatshme plotësisht të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës jo vetëm për ta marrë atë emër, por është e gatshme edhe profesionalisht të marrë përgjegjësi të reja”, është shprehur Kastrati.
