KARNAKU – tregim

KARNAKU – tregim

Mbreti i madh, që dhanë zotërat atëkohë me radhë për vendin, ftoi në Karnak treqind murdarë vëzhgues të mbretërisë e sigurues të mbretit. Ai i qerasi ata në Pallat në mes shtyllave të veshura me ar e fytyrave të shenjta të sundimtarëve të vendit të lindjes së diellit dhe ndenji me ta e u kënaq!
kadrizeka e sponzorizuar

Femi HALIMI

Murdarët ishin të zgjedhurit e mbretit për punë shteti në besim. Këta murdarë mbreti i ftonte për punë të mëdha me veçim, për të përcjellë punët e shtetit përbrenda o për të shkuar për vëzhgim në vende tek popujt të cilët mbreti synonte t’i pushtonte.

Si u bënë tri ditë, mbreti u tha:

-O bij! –Iu ftova, sepse jeni të denjë për ftesë! Iu njoh nga prindët e burrat tuaj brez pas brezi! Synimi im, -tha mbreti i madh, -janë tokat e Kanaanit! Synimi im janë tokat e popujt majtas Detit të Madh e deri në Jordan e Zered. Kanaanasit, hivejt, perezejt, jebusejt, gergesejt, amorejt, hitejt!…Tokat e bijve të Isakut e Ismaelit, tokat përtej Jordanit në Jabok e Zered, tokat e nabatejve, e deri ku ka jetë! –Ju, -vazhdoi mbreti, -u bënë tri vjet që mësuat dhe ushtruat për këtë dhe u përgatitët si më së miri!…

Mësuat për ta, secili nga ju për popullin te i cili do të shkojë dhe tani e dini dëshirën e mbretit tuaj!? Poqese jeni të mirë dhe besnikë, do të kryeni punë…Do të vuani shumë, do të provokoheni rëndë dhe shumë nga ju do të lini trupat tuaj në vendet ku do të shkoni. Por edhe këtu mbrenda ka shumë që vriten në mbrojtje të vendit tonë. Dëshira ime është që të ktheheni të gjithë!?…

Ju po shkoni në luftë! Ju që mësuat mirë dhe që nderoni mësimet, do të ktheheni, -sepse mësimet mbrojnë jetët tuaja…Tani nisuni, shkoni në vendet e atyre popujve, që do të jenë tonat kur ju të ktheheni. Emrat tuaj do të jenë në muret e Karnakut për të gjallët dhe në Shtyllat e Qiellit për ata që do të mbeten atje! –Udhë e mbarë e qofshi faqebardhë…

Kështu mbreti i madh u foli bijve të tij, murdarëve, mandej u tërhoq anash shtyllave të larta dhe hyri nëpër portat e larta të pallatit. Para murdarëve doli mandej prijësi i tyre i madh, Akameti, i Fuqishmi.

-Të shkojmë, pra!- u tha ai murdarëve. –Hiqni armët, zdishni rrobat e shtrenjta! Hiqni arin, byzylykët, brezet, qaforet! Zdathini sandalet prej ari!… Hiqni shenjat e fisnikërisë tuaj. Vishni leshnikët, lidhni litarët e brezit, hidhni trastat krahëve, merrni shkopijt, mbathni sandalet prej lëkure për këmbët tuaja të vyeshme!…Tani nuk jeni më bij të mbretit të madh por lypës e skamnorë!…

Kur të hyni në vendin ku po shkoni secili prej jush, lypni bukë dhe strehë. Lypni ujë. Përuluni. Tregoni për vendin nga jeni. Folni keq për mbretin tonë. Punoni për ta dhe dilni në mbrojtje të tyre. Hani pak e pini vetëm ujë. Veçohuni nga ndejat e tyre. Mos shkoni në dasma të tyre. Falënderoni për atë që bëjnë për ju dhe lavdëroni mbretin e tyre. Mos tregoni kurrë dituri. Mos harroni kurrë se ju jeni lypës dhe skamnorë…

Një fjalë mund t’iu tradhëtojë. Çdo bisedë me kuptim iu shplon e iu hedh në dritë. Ju duhet të rrini vetëm në terr. Nuk ka dritë andej nga po shkoni. Ky është synimi ynë, t’ua marrim tokat gjithë atyre tek të cilët po shkojmë…

Akameti foli edhe më, përderisa dielli perëndoi në shkretëtirë sikur në një gjakderdhje të madhe flijimesh mbreti për kremte viti, e kur duhej çdo krijesë të ndalej aty ku hasej e të pritëte mëngjesin. Akameti ndërkaq me të vetët u nisën në udhëtimin e tyre natën për në tokat e Kanaanit, përderisa prapa tyre drita shterrej sikur përgjithmonë!

Kështu murdarët shkuan në Kanaan e u shpërndan secili në vendin e vet.

Një vit i rëndë kaloi mandej. Takoheshin në vende të shkreta nga dy e tre në vende larg njerëzve. Në krye të vitit ishin zhdukur mbi pesëdhjetë. Shënonin çdogjë. Drejtimet, tokat, ndarjet, pronat, përrojet, vijat e lumejve, llavat e zallit e kodrat të skuqura nga zjarri i vapës. Shënonin numrin e banorëve, shtëpitë, familjet, vendbanimet, rrugët, udhëkryqet. Shënonin bagëtinë, qentë, kuajtë, mushkat, devetë. Shënonin të fortët, grupet, njësitë mbrojtëse. Repartet e ushtrive, largësinë nëmes posteve ushtarake, numrin e ushtarëve, komandat, vendet e komandës, furnizimet, ujërat, burimet e ujërave. Shënonin armët, farkëtarët, minierat, xehet e mineralet për bërjen e armëve. Shënonin bisedat që dëgjonin për organizimin ushtarak e forcat e rendit publik. Murdarët shënonin çdogjë tjetër që ndodhte e që nuk ndodhte.

Ata murdarët shënonin sjelljet e njerëzve, besimet, doket, zakonet, vlerat e çmimet. Shënonin përkujtimet e luftërave, heronjëve, këngëve kreshnike. Shënonin këngët, vallet, ritet. Shënonin e shkruanin fjalët e gjuhëve të tyre, mësonin gjuhët dhe mësonin nga njerëzit me të cilët ndesheshin e të cilëve u lypnin.

Gjithë këto shënime i bënin në natë në vetmi dhe në copa papirusi të fshehura thellë në trasta lypësi e të mbajtura gjithmonë krahaqafë. Kujt i shkonte mendja për keq e për dyshim në një lypës të ngratë?!

Vitin e dytë, pas shënimeve nisën edhe llafet, fjalët. Fjalët me helm ishin arma më e fuqishme e mbretit. Secili nga Treqindët kur të flisnin e shumonin fjalët me helm për do kohë, do ta helmonin shpejt vendin ku qëndronin. Helmi i fjalës është helmi më i forti nga të gjitha helmet. Murdarët nisën kështu të lëshonin fjalët me helm nga shkonin e ku qëllonin me njerëz të vendit.

Edhe më keq, -helmi i fjalës , përkundër gjithë helmeve nuk mbytë! Është i pandjeshëm! Helmi i fjalëve përçan e ndan njerëz të një populli dhe i bën të urryer secilin me secilin! Fjala me helm është armë që shkatërron e zhdukë popuj të tërë pa vrarë kend!…

“Burrat tuaj qenkan të dobët
Burrat tuaj nuk qenkan për luftë
Njerëzit tuaj nuk qenkan për ushtri
Në rast të sulmit të ndonjë armiku, këtu nuk paska kush vullnet për mbrojtje
Nuk paska kush e mbron këtë vend
Nuk paska siguri këtu për asgjë
Këtu të gjithë qenkan të korruptuar
Të parët e vendit këtu po u paguakan nga egjiptianët.
Burrat e fuqishëm këtu po u paguakan nga babilonasit
Tregtarët tuaj kishin prona në Egjipt e Babilon
Ushtarët tuaj qenkan me të huajt
Pasanikët tuaj kishin prona në Egjipt e Babilon.
Me juve po qeveriskan mbretërit e huaj.
Mos i beso kujt këtu se të gjithë qenkan të pabesë.
Mos paguaj taksat kot.
Ju qenkeni të ngratë…
Gratë e vendit qenkan lavire.
Ushtarët po merrnin gratë tuaja në mbrëmje e po i dërgonin në mes ushtarëve gjithë natën e në mëngjes po i kthenin dhe askush këtë nuk e thotë!
Ja më tha njeriu në besim se mbreti juaj po merrte ar nga Egjipti!
Ai prijësi që kërkon të mbrohet vendi, në të vërtetë ai vetë ishte i paguar nga babilonasit! Kështu dëgjova që flitej.
Ju kishit të këqija nëmes vete shumë.
Vëllazërit po kënaqeshin këtu me kunata e me motra të veta!
Paska edhe burra që po kënaqeshin mes vete dhe me të huaj këndej!
Ju do të jeni të dënuar nga zotërat sepse qenkeni të ndyrë…
Këtu nuk paska pikë drejtësie!
Ju duhet të çoheni kundër të këqijave që u paskan mbuluar!
Ju nuk duhet të duroni!
Më i mirë është një mbret i huaj se një mbret i juaji me padrejtësi!
Mbreti i Egjiptit thonë se ka shumë drejtësi!
Mbreti i egjiptit thonë se ndihmon çdo shtëpi dhe jep ushqim për çdo familje për gjithë vitin!
Mbeti i Egjiptit po thonë se nderon të gjithë pa dallim populli e besimi!
Besimi juaj qenka i kotë
Zotërat nuk janë kështu
Zotërat ju i paskëshit të dobët
Nuk besohet kështu
Merrni prej egjiptianëve besimin e drejtë, tok me mallërat që bleni
Ju nuk po dinit kush e cilët janë zotëra të vërtetë”…

Akameti kishte edhe një detyrë të veçantë. Ai kishte një trastë plot me ar. Atë ar ai duhej t’ia jepte një njeriu të veçantë, që do të ishte i përshtatshëm, që do të shoqërohej me Akametin dhe që do të kishte një dëshirë të zjarrtë për të luftuar mbretin! Në çdo mes njerëzish ka edhe padrejtësi dhe ndër popuj edhe më shumë vuajtje e dëshpërim dhe kjo ishte armë ndihmëse e fjalës me helm kudo për murdarët. Ai që do të merrte arin, nga ari do t’u jepte edhe dhjetë të tjerëve që do t’i gjente sikur vetë që ishte. Të fuqishmit pasi të paguhen, e rrëzojnë pushtetin. Ari dhe pasuria janë në anën e sunduesve pa kufi. Çdo vend mund të pushtohet pasi të blehen dhjetë të fuqishëm të atij vendi…

Pas një viti e gjysmë Akameti e gjeti njeriun e duhur për misionin e tij. Ia dha trastën me ar dhe i tha se e kishte gjet në përrua të thatë!…Më parë e kishte mbushë me helm për vetën, popullin e vet dhe pushtetin e mbretit të tyre. Ky ishte Sekeri, që më vonë ktheu gjysmën e Kanaanit kundër mbretit.

Por në përfundim të vitit të dytë Akameti një ditë u vra rastësisht.

Humbja e Akamedit solli pështjellim ndër murdarët. Nuk kishte prijës si ai nga të tjerët. Kishte zëvendësues por Akameti ishte vetë sa gjithë të tjerët. Lidhjet ndërmjet murdarëve u rralluan. Megjithëkëtë ndër popujt e Kanaanit kishin ndryshuar gjërat shumë. Pakënaqësia hetohej kudo dhe dëshpërimi rritej shpejt. Vendi ishte trazuar dhe urrejtja ishte në çdo shtëpi si një damkë.

Nuk kishte më krenari as nderë. Të parët nuk kujtoheshin më e pushtetet tek popujt vështirë mblidhnin taksat. Gjithçka ishte e gatshme për ardhjen e mbretit të Egjiptit. Murdarët ndërkaq takoheshin herë pas here. Në vitin e tretë kishin mbetë diçka mbi njiqind..

Mandej ndodhi një diçka që askush nuk e priti. Në tokat e Kanaanit hyri ushtria e Babilonit. Repartet speciale kishin pasur edhe listat për murdarët dhe shumë sish i zunë. Ata murdarë që qëlluan rreth Gazasë ikën në kufi e pas shumë ditëve fshehjeje mezi kaluan matanë në Egjipt.

Me gjasë babilonasit kishin përcjellë gjithë kohën murdarët dhe edhe vetë kishin pasur njerëzit e vet kështu në mision!? Apo mbase e dinin se egjiptianët do të hynin në Kanaan dhe u ngutën e hynë vetë.

Murdarët që shpëtuan në Egjipt, shkuan tek mbreti dhe i dhanë shënimet që kishin mbledhë vetë, të vetat. Pas pak dite, mbreti me ushtri u nis drejt Kanaanit dhe dy ushtritë u ndeshën në Karkemish. Babilonasit fituan betejën dhe egjiptianët u shpërndanë…

Tregimi për murdarët ndërkaq mbeti ndër tregimet më të bukur nga kronikat e mbretërve, të vendit të diellit, në lindje!

KOMENTE