Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim kryetarin e Federatës së Karatesë së Kosovës, Ismet Krasniqi, bashkë me 10 karateistë dhe përfaqësues tjerë nga kjo federatë me rastin e pjesëmarrjes së tyre në Kampionatin Evropian për Senior që do të mbahet në Guadalajara të Spanjës.
Me këtë rast ministri Gashi fillimisht uroi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë kampionat duke iu dëshiruar suksese.
“Sportistët tanë kanë arritur të njihen edhe jashtë vendit duke marrë pjesë nëpër gara të ndryshme ndërkombëtare, nga të cilat po kthehen me fitore duke i sjellë vendit medalje. Edhe këtyre dhjetë karateistëve që do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian për Senior në Spanjë, iu dëshiroj shumë suksese dhe uroj që të shpërblehen për mundin e tyre dhe iu them se përkrahja nga ana jonë nuk do të mungoj asnjëherë”, tha ministri Gashi.
Ndërkaq, kryetari i Federatës së Karatesë, Ismet Krasniqi, falënderoi ministrin për pritjen dhe gatishmërinë e tij për të përkrahur sportistët dhe talentet e reja të vendit. Ai tha se janë shumë të entuziazmuar me rastin e pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian në Spanjë dhe se presin që nga atje të kthehen me medalje. “Jemi përgatitur maksimalisht për pjesëmarrje në këto gara shumë të rëndësishme dhe shpresoj se në Kosovë do të kthehemi si fitues me medalje. Atje do të shkojmë me dhjetë garues, tri femra dhe shtatë meshkuj”, tha kryetari Krasniqi.