/2L ONLINE/ – Pas një pune të gjatë dhe mirë të organizuar operative hetimore, njësitet e hetimeve nga stacioni policor i Vitisë kanë lokalizuar dhe e kanë arrestuar të dyshimtin E. T. (1996) me banim të përhershëm në fshatin Tushaj, Komuna e Kaçanikut.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë të ditur se i dyshimti është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës në lokalet e stacionit policor në Viti.
“Janë gjet dëshmi të qëndrueshme se i njëjti është i përfshirë në së paku pesë vepra penale të “Vjedhjeve të rënda”, në tri barnatore farmaceutike dhe në dy furra buke, të gjitha në Viti”, ka thënë zëdhënësi ismet Hashani.
Zëdhënësi Hashani ka thënë se i njëjti dyshohet se këto vepra penale i ka kryer në bashkëveprim me dy të dyshuar të tjerë, të cilët janë arrestuar ditë më parë po nga policia e Kosovës njësitet hetuese të Vitisë.
Këto vjedhje kanë ndodhur brenda muajit Shtator dhe Tetor 2016.
Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit Departamenti për Krime të rënda i dyshuari është ndalur për 48 orë.
Rasti është duke u hetuar. /2L ONLINE/
fotoilustrim