Kanë vazhduar dëgjimet buxhetore për planifikimin e buxhetit për vitin 2027 me grupet e grave
Cikli i dëgjimeve publike për planifikimin e buxhetit komunal për vitin 2027 ka vazhduar në Komunën e Vitisë, kësaj radhe me grupet e grave.
Në hapje të takimit, zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, foli për rëndësinë e dëgjimeve publike dhe përfshirjen e qytetarëve në procesin e planifikimit të buxhetit. Ai theksoi se një nga sfidat financiare me të cilat përballet komuna është edhe çështja e kontratës kolektive, për të cilën tashmë janë ndërmarrë procedura përmes përmbaruesve privatë.
Draftbuxheti komunal për vitin 2027 u prezantua nga drejtoresha për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Milihate Ajeti. Sipas prezantimit, buxheti i planifikuar për vitin 2027 kap vlerën prej 18 milionë e 388 mijë e 643 euro.
Nga kjo shumë, 11 milionë e 413 mijë e 327 euro, apo 62.07 për qind, janë planifikuar për paga dhe shtesa. Për mallra dhe shërbime janë paraparë 3 milionë e 13 mijë e 919 euro, apo 16.39 për qind, ndërsa për shpenzime kapitale janë planifikuar 2 milionë e 951 mijë e 397 euro, apo 16.05 për qind.
Për subvencione dhe transfere janë paraparë 720 mijë euro, apo 3.92 për qind, ndërsa për shpenzime komunale janë planifikuar 290 mijë euro, apo 1.58 për qind, tha drejtoresha Ajeti.
Në pjesën e dytë të takimit, gratë e pranishme patën mundësi të paraqesin kërkesat dhe propozimet e tyre për investime dhe projekte që konsiderojnë të rëndësishme për komunitetin.
Ndër kërkesat e paraqitura ishte rregullimi i trotuarit dhe zgjerimi i rrjetit të ndriçimit publik në lagjen “Topat” në Goshicë. Po ashtu, u kërkua shqyrtimi i mundësisë për realizimin e një projekti për rrethojat e Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës”, me qëllim të krijimit të një hapësire më të sigurt dhe më të menaxhueshme brenda kampusit të shkollës, në mënyrë që nxënësit të mos kenë mundësi të dalin jashtë oborrit gjatë procesit mësimor.
Dëgjimet publike për buxhetin komunal të Vitisë do të vazhdojnë nesër, në ora 10:00, në Sallën e Kuvendit Komunal, ku do të zhvillohet takimi me fermerët e Komunës së Vitisë. /2LONLINE/
