(2L ONLINE) – Në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, Komuna e Gjilanit ka nisur projektin e asfaltimit të rrugëve dhe rregullimin e rrjetit të ujërave të zeza, projekte të cilat për zabelasit do të duket një habi, ngase për vite të tëra në këtë infrastruktura është skajshmërisht e degraduar, thonë zyrtarë të komunës së Gjilanit..
Sipas tyre, 212 665 euro investime do të ndodhin vetëm në fazën e parë ku janë 6 projekte të ndryshme asfaltime dhe kanalizime. Pra do të asfaltohen gjashtë rrugë, prej tyre tri rrugëve do t’u rregullohet edhe kanalizimi.
Abdyl Aliu, shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, njëherit banor i kësaj lagjeje i cili ka marrë pjesë në nisjen e punimeve ka thënë se Zabelit po i vijnë projektet që për vitet të tëra i kanë munguar nga diskriminimi i pushtetit të kaluar.
“Për zabelasit asfaltimi i rrugëve por edhe rregullimi i rrjetit të ujërave të zeza në këtë lagje ndoshta do të jetë një habi e madhe, sepse për vite të tëra në këtë lagje nuk është investuar për shkak të diskriminimit nga qeverisja e kaluar. Në këtë fazë që është e para e investimeve atje do të asfaltohen tri rrugë dhe do të rregullohet edhe kanalizimi, ndërsa investimet nuk do të ndalen asnjëherë, sepse nevojat janë shumë të mëdha në këtë lagje. Një informatë për banorët e Zabelit që është me shumë rëndësi është edhe ajo se është në fazën e vlerësimit edhe projekti për rregullimin e trotuarit nga rruga Mulla Idrizi e deri te shkolla në lagje. Projekt tjetër që është në vazhdën e realizimit është edhe rrjeti i ujëmbledhëseve atmosferik të Zabelit dhe Arbërisë deri në lumin Mirusha”, ka potencuar Aliu.
Premtimet që kryetari Haziri i kishte dhënë gjatë fushatës elektorale vetëm po preken nga dora e qytetarit si në asfaltime, trotuare, ujësjellës, kanalizim, ndriçim publik dhe infrastrukturë tjetër. /2L ONLINE/