Kanë arritur vaksinat kundër gripit sezonal
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftojnë qytetarët se kanë arritur vaksinat kundër gripit sezonal dhe se sot ka filluar shpërndarja e tyre në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Vaksinimi do të fillojë pas përfundimit të shpërndarjes së vaksinave në QKMF dhe njësitë e tyre. Për informata të detajuara rreth fillimit të vaksinimit, qytetarët mund të kontaktojnë institucionin më të afërt të kujdesit parësor shëndetësor në komunën e tyre.
MSH dhe IKShPK u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal, veçanërisht personave që u përkasin grupeve me rrezik të lartë.
Grupet që rekomandohet të vaksinohen me prioritet janë:
•Personat mbi 65 vjeç;
•Personat me sëmundje kronike, përfshirë sëmundjet e zemrës, mushkërive, diabetin, sëmundjet e veshkave dhe ato që dobësojnë sistemin imunitar;
•Gratë shtatzëna;
•Fëmijët me sëmundje kronike dhe ata që kanë indikacion për vaksinim sipas rekomandimeve shëndetësore;
•Personat që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë;
•Profesionistët shëndetësorë dhe personat e tjerë që ofrojnë kujdes shëndetësor.
Vaksinimi kundër gripit sezonal rekomandohet edhe për qytetarët e tjerë që dëshirojnë të vaksinohen.
Vaksinimi është një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen nga gripi sezonal dhe për uljen e rrezikut të komplikimeve, formave të rënda të sëmundjes dhe shtrimit në spital, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së. /2LONLINE/
