“Maratona e Jetës”, kështu do të quhet maratona që do të nisë sot në Tiranë me qëllim sensibilizimin e të gjitha grave dhe nënave shqiptare që të kryejnë kontrolle parandaluese për kancerin e gjirit.
Vrapimi do të zhvillohet përgjatë ditës së sotme nga Sheshi “Nënë Tereza” duke përfunduar tek kodrat e Liqenit Artificial.
Organizatoret e kësaj maratone tregojnë se ky është aktiviteti i parë që zhvillohet në Shqipëri, eksperiencë e ardhur nga Italia, raporton “Shqiptarja”.
“Maratona do të nisë në Sheshin “Nënë Tereza”, do të vijojë me disa fjalime të mbajtura nga personalitete të rëndësishme të politikës së vendit. Më pas do të zhvillohet në brendësi të Liqenit Artificial, ku do të përshkohet liqeni për të mbërritur më pas tek diga ku do të jetë “Qyteza e Jetës” , ku do të festojmë të gjithë së bashku me atletët”, shprehet Francesco Milela, organizator i aktivitetit.
Mbështetës të këtij aktiviteti do të jenë edhe personalitete të politikës dhe të pushtetit vendor, duke nisur nga ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ai i shëndetësisë Ilir Beqaj, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha si dhe Ambasadori Italian në Shqipëri, Massimo Gaiani.
Ky aktivitet ka për qëllim që të sensibilizojë gratë për parandalimin e kësaj sëmundjeje të përhapur masivisht jo vetëm në botë, por edhe në Shqipëri.