Kampusi i universitetit po shënon lëvizje pozitive drejt investimit
/2L ONLINE/ – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu ka pritur sot në një takim pune U.D. të rektorit të Universitetit “Kadri Zeka”, Naim Syla, me të cilin kanë biseduar për hapat që do të ndërmerren gjatë të ardhmes në projektimin dhe nisjen e ndërtimit të kampusit të Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka”. Me planin urbanistik parashihet që ky ndërtim të ndërtohet te Kazerma e Forcave të Armatosura në Kosovës në rrugën Gjilan – Bujanoc.
Me këtë rast nënkryetari Kadriu, ka thënë se gatishmëria e kryetarit Haziri është shumë e madhe për të nisur me punë në përgatitjen e hapësirës për ndërtim të universitetit sepse është interes ndërkufitar dhe ndër-regjional.
“Kryetari Haziri është i përkushtuar që krahas shumë projekteve, të punoj konkretisht edhe në kampusin e universitetit nga këndi i përgjegjësisë së nivelit lokal, por edhe nxitje të nivelit qendror për një lëvizje më të shpejtë në këtë drejtim. Me planin urbanistik hapësira te FSK, është e planifikuar për qendrën universitare. Gjilani më shumë se çdo regjion tjetër meriton që ky projekt i madh ndërkufitar dhe ndër – regjional të realizohet sa më shpejtë, sepse inkuadron student nga komuna të ndryshme brenda Kosovës por edhe nga komunat në luginë të Preshevës, në pjesën e Maqedonisë dhe gjetiu”, tha ndër të tjerash nënkryetari Kadriu, duke i garantuar mbështetje të pakursyer të Komunës së Gjilanit.
Ndërsa Naim Syla, UD i rektorit të universitetit “Kadri Zeka”, ka thënë se ministria e Arsimit ka ndarë një pjesë të mjeteve për projektin ideor të kampusit të universitetit, por në këtë drejtim duhet një angazhim konkret i Komunës së Gjilanit dhe i ministrisë së FSK-së për të dhënë kontribut edhe nga ana e tyre zyrtare.
“Është një fat shumë i mirë që MASHT-i ka ndarë një pjesë të mjeteve për të bërë hartimin e projektit ideor të universitetit. Ajo çka duhet tani është të bëhet një marrëveshje e përbashkët mes treshes institucionale, MASHT, MFSK dhe Komunës së Gjilanit për ti hapur rrugë këtij ndërtimi që është mese i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Fat i madh është që ajo pjesë është shumë e përshtatshme për këtë qëllim, e planifikuar me planet urbanistike dhe shpresojmë se mes ministrit të FSK-së, atij të arsimit dhe Kryetarit të Komunës së Gjilanit të gjendet një zgjidhje edhe për lirimin e asaj hapësire, apo gjetjen e ndonjë hapësire tjetër nëse është e nevojshme”, tha Syla ndër të tjerash, duke shtuar se objekti në të cilin punon tani universiteti nuk i plotëson kushtet për një punë të tillë dhe për një numër të madh të studentëve. /2L ONLINE/
