Kamenicë: Vazhdon largimi vullnetar i kiosqeve nga hapësirat publike, afati deri më 31 mars 2026
Në Kamenicë po vijon procesi i largimit të kiosqeve dhe objekteve të tjera të përkohshme nga hapësirat publike, pas vendimit të Kuvendit Komunal për shfuqizimin e lejeve të mëhershme për vendosjen e tyre.
Ky vendim, i miratuar më 24 mars 2025, ka shfuqizuar rregulloren e vitit 2002 që lejonte vendosjen e kiosqeve, barakave, garazhave dhe objekteve të ngjashme. Sipas autoriteteve komunale, ky hap është ndërmarrë si rezultat i keqpërdorimeve të vazhdueshme të pronës publike dhe mënyrës së menaxhimit të këtyre objekteve.
Një ndër shqetësimet kryesore ka qenë fakti se, në shumë raste, për shkak të marrëveshjeve ndërmjet pronarëve të kiosqeve dhe qiramarrësve, obligimet financiare janë përmbushur ndaj individëve privatë dhe jo ndaj komunës, siç parashihet me rregullore.
Pas hyrjes në fuqi të vendimit, ka nisur edhe largimi i objekteve montazh në zona të ndryshme të qytetit. Sipas komunës, një zhvillim pozitiv është reagimi i qytetarëve, të cilët në një numër të konsiderueshëm kanë filluar vetë largimin e kiosqeve, pa pasur nevojë për ndërhyrje institucionale.
Autoritetet kanë bërë të ditur se afati për largimin e këtyre objekteve nga hapësirat publike është caktuar deri më 31 mars 2026. Pas kësaj date, komuna paralajmëron ndërmarrjen e masave ligjore ndaj atyre që nuk i përmbahen vendimit.
Ky proces synon rikthimin e rendit në hapësirat publike dhe menaxhimin më të mirë të pronës komunale në interes të qytetarëve. /2LONLINE/
